Përfundon greva e Nikolicit
Kreu i Partisë Progresive serbe, Tomislav Nikolic, i dha fund një greve urie që filloi tetë ditë më parë duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare, njoftojnë mediat serbe.
Nikolic, pas largimit nga spitali, mori pjesë në liturgjinë e mëngjesit në Katedralen e Beogradit, brenda së cilës ishte edhe Ministri i Brendshëm serb Ivica Daqic.
Një zyrtar i partisë së Progresit, avokati Vladimir Bozovic u shpreh se Nikolic e pranoi ftesën e Patriarkut Irenej, që të kaloj Pashkët me familjen e tij. Patriarku Irinej kishte kundërshtuar grevën e urisë së Nikolic pasi kjo metodë sipas tij nuk është në pajtim me fenë ortodokse dhe se ka mënyra të tjera për të arritur qëllimet politike.
I pyetur nga gazetarët nëse udhëheqësi i Partisë Progresive përfundoi grevën e urisë, Bozovic u shpreh se Nikolic dhe Patriarku shkëmbyen përshëndetjet dhe se Nikolic ka ngrënë vezë të Pashkëve.