E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfundon mandatin Shefi i Grupit Ushtarak Amerikan, Ministri Nufi dekoron Nënkolonelin Magnusson me “Medaljen e Artë të Shërbimit Ushtarak”

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka vlerësuar me dekoratë të lartë zyrtare Shefin e Grupit Ushtarak Amerikan në Shqipëri, Nënkolonelin Joshua A. Magnusson, me rastin e përfundimit të mandatit të tij në krye të këtij misioni. Gjatë një ceremonie zyrtare, nënkolonelit amerikan iu akordua “Medalja e Artë të Shërbimit Ushtarak”.

Sipas motivacionit të bërë publik, ky vlerësim jepet për kontributin e tij “në forcimin e partneritetit ndërmjet SHBA dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, dhe për merita të veçanta në realizimin dhe qëndrueshmërinë e programeve të bashkëpunimit ushtarak”.

Partneriteti me SHBA-në, shtyllë e sigurisë kombëtare

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri Nufi u ndal te pesha specifike që ka bashkëpunimi ushtarak dhe strategjik me Uashingtonin për mbrojtjen dhe pozicionimin ndërkombëtar të Shqipërisë.

“Partneriteti ynë me SHBA është një gur themeli i sigurisë sonë kombëtare dhe i qëndrimit tonë kombëtar. Akordojmë Medaljen e Artë për të gjitha shërbimet e tyre ndaj SHBA dhe Shqipërisë”, deklaroi Ministri i Mbrojtjes.

Ministri vuri në dukje rëndësinë institucionale të shprehjes së mirënjohjes ndaj zyrtarëve ushtarakë të cilët shërbejnë si urë lidhëse mes të dy vendeve: Nderimi i individëve që kanë kontribuar drejtpërdrejt në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe; mundësimi i një kuadri ku Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës “të qëndrojnë më të forta së bashku”.

Certifikatë mirënjohjeje për Koordinatorin e Operacioneve

Përveç vlerësimit kryesor për kreun e misionit ushtarak, Ministria e Mbrojtjes ka shpërndarë tituj nderi edhe për personelin tjetër mbështetës të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Në këtë kuadër, Ministri Ermal Nufi i akordoi certifikatën e mirënjohjes rreshterit amerikan, Emmanuel Ebhoomhan, i cili mban detyrën e Koordinatorit për Operacionet pranë Zyrës së Atasheut Ushtarak të SHBA-së në vendin tonë, për angazhimin e tij në ndjekjen e projekteve të përbashkëta.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›