Volkswagen paralajmëron shkurtime të reja në mbarë botën, CEO: Mund të hiqen edhe 50 mijë vende pune të tjera

Kompania gjermane Volkswagen mund të detyrohet të shkurtojë edhe rreth 50 mijë vende të tjera pune në mbarë botën për të përmirësuar konkurrueshmërinë, deklaroi drejtori ekzekutiv Oliver Blume në një memorandum të brendshëm drejtuar punonjësve.
Sipas dokumentit të siguruar nga Reuters, pas marrëveshjeve të arritura tashmë për eliminimin e 50 mijë vendeve pune në të gjithë grupin, përfshirë markat “Porsche” dhe “Audi”, kompania vlerëson se ka ende një disavantazh prej rreth 20% në kosto krahasuar me rivalët.
Blume tha se kjo përkthehet teorikisht në nevojën për shkurtimin e 50 mijë vendeve të tjera të punës.
“Aktualisht po vlerësojmë në të gjitha markat, kompanitë dhe rajonet se sa rregullime janë realisht të nevojshme dhe të realizueshme,” thuhet në mesazhin e tij.
Deklarata konfirmon për herë të parë se Volkswagen po shqyrton mundësinë e reduktimit të deri në 100 mijë vendeve të punës në total.
Sipas Reuters, drejtuesit e kompanisë po përballen me rënien e fitimeve, kostot miliardëshe të tarifave tregtare, konkurrencën e fortë në tregun kinez dhe presionin për ta bërë më efikas rrjetin e prodhimit në Gjermani.
Në memorandumin e tij, Blume paralajmëroi gjithashtu se katër fabrika, në Emden, Hanover, Zwickau dhe Neckarsulm nuk kanë ende një perspektivë të qartë për funksionimin e tyre pas vitit 2030.
Megjithatë, ai theksoi se preferon “zgjidhje inteligjente” në vend të mbylljes së fabrikave, duke përmendur si alternativa përdorimin e tyre për industrinë e mbrojtjes ose prodhimin në Europë të modeleve kineze të Volkswagen.
Pas mbledhjes së fundit me përfaqësuesit e punonjësve, kompania njoftoi vetëm planet për uljen e kapaciteteve prodhuese dhe përgjysmimin gradual të gamës së modeleve, pa përmendur zyrtarisht shkurtime të reja apo mbyllje fabrikash. Megjithatë, përfaqësuesit e punonjësve kanë kërkuar më shumë transparencë mbi planet e ristrukturimit të grupit.