Përfundon pa konsensus takimi Thaçi-Daçiç, bisedimet vijojnë edhe sot
Bruksel- Takimi i djeshëm mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb, Ivica Daçiç, ka përfunduar pa një konsensus lidhur me zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit.
Koha Ditore shkruan se takimi do të vijojë edhe sot, ku dy shefat e qeverive do të përpiqen të arrinë në një pikë të përbahskët.
Pas takimit, ka folur vetëm kryeministri Thaçi i cili ka thënë se është me rëndësi që të arrihet sa më shpejtë marrëveshja për zbatim pasi koha po kalon. Ai u shpreh se ende nuk është folur për telekomin dhe energjinë, por kjo mund të ndodhë në vazhdim. Ndërkohë, baronesha Catherine Ashton ka thënë se është e sigurt në përkushtimin e të dy kryeministrave që të marrëveshja e prillit të zbatohet në terren, dhe se për këtë do të pajtohen sot.
Ka qenë një takim, për të cilin besoj se të mërkurën me marrëveshjen për implementimin e marrëveshjes së muajit të kaluar. Besoj se nuk do të humbim kohë. Jemi të vendosur që të arrijmë marrëveshje dhe të fillojmë zbatimin në terren. Definitivisht, kjo marrëveshje do të shënojë një hap përpara për normalizimin e marrëdhënieve tona dhe perspektivën evropiane të vendeve dhe popujve tanë, ka theksuar Thaçi, transmeton RTK.
Homologu i tij serb, Ivica Daçiç, nuk është prononcuar për gazetarët.