E Diel, 1 Nëntor 2026

Panariti: Meta kryeministër? S’është qëndrim zyrtar i LSI

TIRANE - Një prej anëtarëve të kryesisë së LSI-së, ish-ministri i Jashtëm Edmond Panariti deklaroi dje, se nuk ka një qëndrim zyrtar të LSI-së se Ilir Meta do të jetë kryeministër pas 23 qershorit. Ai tha se ky ka qenë mendimi individual i z.Nasip Naço.
Zoti Panariti, ç’mendim keni në lidhje me deklaratën e kolegut tuaj Nasip Naço, në Berat, i cili u shpreh se Meta do të jetë kryeministër pas 23 qershorit?
Për këtë është shprehur edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Çdo njeri ka kokën e vet mbi supe. Ka mendimet e tij. Nuk është se ka ndonjë qëndrim zyrtar të LSI-së. Janë qëndrime individuale, dëshira të shprehura në fushatë elektorale dhe që priten. Kështu që, zoti Naço ka shprehur mendimin e tij. Patjetër që objektivi ynë dhe i gjithë koalicionit është fitorja e së majtës, për të cilën LSI-ja ka kontribut të jashtëzakonshëm.
Keni ju shifra të mbështetjes që ka LSI-ja, por edhe koalicioni PS-LSI në elektorat tashmë?
Ne kemi sondazhet tona dhe në bazë të tyre e majta ka avantazh 200 mijë vota. Pra, janë 200 mijë vota në rang kombëtar që ka LSI-ja dhe kjo nuk është pak. Kryesorja është që PS-ja dhe LSI-ja të arrijnë një fitore plebishitare, e cila duhet të përkthehet në 80 mandate, që do t’i japin një bazament të qëndrueshëm qeverisjes së ardhshme, dhe për rrjedhojë kjo kërkon një mbështetje të gjerë parlamentare nga mazhoranca që duhet të jetë e së majtës. Nga disa sondazhe të brendshme, objektivi i 80 mandateve është mëse i arritshëm. Por, ka edhe një frymë në rritje për të majtën. Bashkimi i LSI-së me PS-në, nuk është thjesht një bashkim aritmetik, po një sinergji. Nuk është 1 edhe 1 bëjnë 2, por 1 edhe 1 bëjnë 5. Unë e shikoj këtë dhe e ndjej, sepse jemi çdo ditë në takime, madje edhe tani jam duke lëvizur në Fushë-Krujë. Natyrisht, ne si pjesë e koalicionit të madh opozitar, në bashkëpunim edhe me PS-në e partitë e tjera, veç faktit që kërkojmë vota për LSI-në, jemi në koordinim edhe me partitë e tjera të koalicionit, sepse objektivi ynë është fitorja e së majtës së bashkuar më 23 qershor.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›