Përfundon rikonstruksioni i rrugës 28 Nëntori, Basha: Për 1 muaj nisim punimet për bulevardin
Në fund të muaj korrik, bashkia e Tiranës do të nisë punimet për zgjatimin e bulevardit nga stacioni i trenit në drejtim të lumit të Tiranës, një ndër projektet më ambiciozë të këtij institucioni. E gjithë koha për të arritur deri në këtë investim, do të përdoret për të gjitha procedurat e parakualifikimit dhe të ofertave financiare nga kompanitë ndërkombëtare.
Vetëm një ditë më pare, 15 kompani prestigjioze ndërkombëtare nga Gjermania, Austria, Italia, Kina, Kuvajti, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe por edhe nga Shqipëria kanë shprehur interes, për të ndërtuar bulevardin e ri të Tiranës, ku vlerësimi i dokumentave do të bëhet brenda 10 ditëve. Bashkia e Tiranës ka në dispozicion fondin prej 61.000.000.00 euro për zbatimin e projektit të studios arkitekturore “Grimshaw”.
Dje është mbyllur etapa e parakualifikimit, ku kanë aplikuar 15 kompani, siç e thashë nga të gjitha vende e Evropës dhe të botës, Gjermania, Austria, Italia, Kina, vendet arabe, kompani shqiptare dhe brenda 5-6 ditëve të ardhshme do të bëhet short-listimi, pra do të përzgjidhen kompanitë që parakualifikohen për fazën e dytë, ndërkohë që brenda 15 ditëve nga momenti i parakualifikimit, pra të themi 20-25 ditë nga dita e sotme, ata do të kenë kohë për të sjellë ofertën financiare. Shqyrtimi i ofertave financiare, po ashtu do të marrë afro një javë, prandaj mund të themi me siguri që brenda fundit të korrikut, fillimit të gushtit do të përzgjidhet fituesi, do të nënshkruhet kontrata dhe do të fillojë ndërtimi i bulevardit të ri. Ndërtimi i bulevardit të ri dhe i lumit të Tiranës do të bëhet në dy faza, është hapur tenderi për bulevardin, brenda pak javësh hapet tenderi për lumin e Tiranës, rehabilitimin e lumit të Tiranës nga ura e Brrakës deri tek ura e Shkozës, me parametrat më të mirë të mundshëm, që është rehabilitimi i shtratit, gjelbërim, krijimi i hapësirave rekreative theksoi kreu i Bashkisë Lulzim Basha.
Deri në pritje të punimeve, në rrugët e kryeqytetit vijonë ndërhyrjet dhe asfaltimet. Kryebashkiaku Basha inspektoi punimet në bulevardin pas Sahatit të Tiranës. Ky segment ka qënë tërësisht i amortizuar dhe vështirësonte kalimin e automjeteve, sepse është edhe stacion i disa linjave të autobusëve urban.


Duke marrë shkas nga ky investim që ne e përmbyllëm në një kohë të shkurtër dhe që në fakt i ktheu dinjitetin kësaj pjese të qendrës, dua të siguroj banorët e Tiranës që përkushtimi ynë, ashtu siç është shtrirë në çdo lagje të Tiranës, në qendër të Tiranës, do të vazhdojë të jetë i prekshëm kudo ku qytetarët kanë nevojë. Ne si Bashki, i kemi marrë të gjithë masat që brenda gushtit, çdo problem i qytetarëve të Tiranës, një kolektor diku në Kombinat apo një sistem ujësjellësi i munguar në Shkozë, të jetë i projektuar, kemi buxhetuar fondet me buxhetin e vitit 2013 dhe 2014, buxhetin afatmesëm që e kemi kaluar me Këshillin Bashkiak dhe kemi mbështetjen e qeverisë shqiptare me fondet e tjera, për ti dhënë Tiranës brenda dy viteve të ardhshme, këtë cilësi që shikoni këtu në qendër, në çdo lagje të Tiranës- u shpreh Basha.
Pak minuta më pas Kryebashkiaku ka inspektuar edhe përfundimet e punimeve në një tjetër rrugë të kryeqytetit, investim i shtrirë paralelisht me rrugën e Dibrës.