Përgatitja dhe numërimi i votave të diasporës, Policia ruan 24 orë Pallatin e Sportit “Feti Borova”

Që prej datës 1 prill, efektivët e Policisë së Shtetit qëndrojnë pranë godinës së Pallatit të Sportit “Feti Borova”, duke monitoruar gjithçka çfarë ndodh aty ku po administrohet procesi i përgatitjes, dërgimit dhe ku do të numërohen votat e diasporës.
Burimet e dikasterit blu thanë për Radio Televizionin Shqiptar, se efektivët po qëndrojnë me tri turne, ndërsa bashkëpunojnë ngushtësisht me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për çdo problematikë që mund të shfaqet.
E gjithë godina vëzhgohet edhe me kamera sigurie, ku deri tani nuk është shënuar asnjë problematikë.
Marrja në ruajtje e vendit ku janë bërë gati fletët e votimit, janë futur në zarfe dhe që më pas shkojë në dorën e çdo zgjedhësi në vendet e ndryshme të botës, nisi më datën 1 prill dhe do të zgjasë deri më 20 maj.
Pallati i Sportit “Feti Borova” pranë Parkut Olimpik të Tiranës është caktuar si vendi për administrimin e dokumentacionit të votimit nga jashtë, si dhe për zhvillimin e procesit të numërimit të votave përkatëse.
Aty bëhet përgatitja e dokumentacionit zgjedhor, ruajtja dhe administrimi i votave nga jashtë deri në momentin e fillimit të numërimit, si dhe numërimi dhe vlerësimi i votave nga jashtë.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/