Përgatitjet për vitin e ri shkollor në Lezhë, ndërhyrje në godinat arsimore. Investime në shkollën e Rrilës dhe dy kopshte

Në Lezhë vijojnë përgatitjet për vitin e ri shkollor, i cili do të nisë më 14 shtator. Prej javësh, punonjësit e shërbimeve publike po ndërhyjnë në godinat arsimore. Aktualisht, më shumë se 80% e punimeve, kryesisht në lyerjen dhe mirëmbajtjen e ambienteve të brendshme dhe të jashtme, kanë përfunduar.
“Ne kontrollet e para i kemi bërë nëpër shkolla që në muajin shkurt duke i paraprirë vonesave të mundshme që do kishte pastaj edhe në tenderimet e produkteve të materialeve të ndërtimit, por edhe në punimet e mëvonshme nëpër shkolla. Kemi punuar njëkohësisht me tre brigada, të cilat kanë mbuluar të gjitha shërbimet që shkollat kanë patur nevojë për rehabilitimin e tyre dhe për rikonstruksione të vogla”, u shpreh Aurora Gjeloshi, Drejtore e Arsimit, bashkia Lezhë
Ky vit shkollor do të sjellë edhe hapjen e dyerve të shkollës së rikonstruktuar “Gjergj Fishta”, ndërsa do të nisë investimi në një tjetër shkollë dhe dy kopshte.
“Kemi marrë projektin e rikonstruksionit total të shkollës së Rrilës e cila gjithashtu këtë vit do të fillojë mësimin tek shkolla e Shënkollit. Jemi në përfundim të procedurave për rikonstruksionin e kosit Skënderbe dhe 11 janari”, tha ajo.
Ndërhyrjet pritet të përfundojnë në ditët në vijim, në mënyrë që nxënësit dhe mësuesit ta nisin vitin e ri shkollor në ambiente të mirëmbajtura dhe të përshtatshme për procesin mësimor.
Gazetare: N. Spahiu
/rtsh.al/