Përgjegjësi për etiketat VIP
Nëse para disa vitesh, do të më shtrohej pyetja për një imazh timin, pa dyshim që përgjigja ime do të ishte e shpejtë. Por sot, dilemat rreth kësaj çështjeje janë shtuar e në horizont shoh një larmi të madhe, e pse jo, çoroditje në mënyrën se si ky imazh perceptohet.
Një çështje kjo, tepër e komentuar nga të gjitha shtresat e popullsisë. Shoqëria sot, duhet të mbajë përgjegjësinë e vet në etiketimin "VIP" të personave të caktuar, edhe pse secili është i lirë të zgjedhë atë që pëlqen. Qëllimi i këtij shkrimi, nuk është paraqitja e kundërvënies mes brezave, sepse ajo dihet: mospërputhja ka qenë, është e do të mbetet (sepse tek e fundit, s’do të kishte ecje përpara), por shqetësimi së rinia sot në përgjithësi, merr si imazh atë që për mendimin tim nuk është i aftë të të japë një shtysë për të ecur përpara në jetë, veç faktit të argëtimit për momentin.
Po rrisim një brez që di fare pak rreth historisë dhe politikës! Imazhet e tyre spikasin në rrymat moderne e janë të aftë të perifrazojnë fraza të gatshme e të spërdridhen si klounë, por po t’i gërmosh sadopak, do tronditesh: do kuptosh se janë imazhe bajate e aspak produktive. Jeta sot e ka vënë rininë përballë problemeve impenjative që kërkojnë zgjidhje emergjente si: droga, vetëvrasja, gjakmarrja... e zgjidhja për këto nuk mund të gjendet dokudo. Nuk duhet parë shthurja si diçka normale e kohës e personat që realisht përpiqen të ecin përpara, nuk duhen etiketuar me epitete banale. Po rritet një rini e varfër në fjalor! Armata e madhe që mbush kafenetë, i she bibliotekat dhe librin artistik si ornamente të së kaluarës!
Ndoshta gabohem e këndvështrimi im nuk përputhet me atë ç`ka kjo rini kërkon sot. Ndoshta praktika e sistemit në të cilin brezi im u lind e u rrit na ka bërë të jemi skeptikë, por na vjen keq, sepse duhet pranuar: koha e kushtet sot, të ofrojnë mundësi të shumta, mjaft që të kesh vullnet. Sot ndikimi i imazheve që media televizive ofron është tepër i madh, ndaj është detyrë e saj që të tregohet tepër e kujdesshme në atë ç`ka ajo i paraqet publikut, ashtu siç është detyrë e shoqërisë selektimi i këtyre figurave.
Për sa kohë që do të mungojnë vendet e punës, për sa kohë që problemet ekonomike dhe varfëria të jenë prezente, për sa kohë që mungesa e besueshmërisë karshi institucioneve përkatëse të ecë paralel me rininë, e konkurrenca e pastër mos të jetë prezente, duhet të jemi të ndërgjegjshëm: Në përgjithësi, rinia do të jetë e fokusuar drejt individëve të pasur, pa kthyer kokën nga pjesa tjetër e shoqërisë, që realisht mbart vlera.