Përhapja e Ebolës, 100 vdekje në Kongo, 6 amerikanë janë ekspozuar ndaj virusit

Të paktën 100 persona kanë humbur jetën nga shpërthimi i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos, ndërsa janë raportuar mbi 390 raste të dyshuara, ka deklaruar për BBC kreu i Qendrave Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Jean Kaseya.
Ai paralajmëroi se, në mungesë të ilaçeve apo vaksinave të miratuara për llojin aktual të virusit, qytetarët duhet të respektojnë masat e shëndetit publik, përfshirë edhe mënyrën e organizimit të funeraleve të viktimave të Ebolës.
Ndërkohë, Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kanë konfirmuar edhe dy raste të tjera në Ugandë, ku është regjistruar edhe një viktimë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka shpallur shpërthimin aktual të Ebolës, të shkaktuar nga virusi Bundibugyo, emergjencë ndërkombëtare të shëndetit publik.
Sipas raportimeve, një mjek amerikan në Republikën Demokratike të Kongos është mes personave të infektuar. Grupi misionar mjekësor me të cilin ai punonte, si dhe CDC, kanë konfirmuar rastin, ndërsa personi në fjalë pritet të dërgohet në Gjermani për trajtim.
Mediat amerikane raportojnë gjithashtu se të paktën gjashtë shtetas amerikanë janë ekspozuar ndaj virusit gjatë shpërthimit në Kongon Lindore. CDC deklaroi se po mbështet “largimin e sigurt të një numri të vogël amerikanësh që janë prekur drejtpërdrejt”, pa konfirmuar numrin e saktë të tyre.
Autoritetet amerikane po shqyrtojnë mundësinë e transportimit të personave të ekspozuar në një bazë ushtarake amerikane në Gjermani për karantinë dhe trajtim, megjithëse kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Në një përditësim të fundit, CDC tha se rreziku për përhapjen e virusit në SHBA mbetet relativisht i ulët, por njoftoi vendosjen e masave shtesë parandaluese. Këto përfshijnë monitorimin e udhëtarëve që vijnë nga zonat e prekura dhe kufizime hyrjeje për shtetasit jo-amerikanë që kanë qenë në Ugandë, Republikën Demokratike të Kongos ose Sudanin e Jugut gjatë 21 ditëve të fundit.
Po ashtu, SHBA ka lëshuar një paralajmërim udhëtimi të Nivelit 4 për Republikën Demokratike të Kongos, niveli më i lartë i rrezikut.
OBSH paralajmëron se shpërthimi në provincën Ituri mund të jetë shumë më i madh sesa rastet e raportuara aktualisht dhe ekziston rrezik i lartë i përhapjes lokale dhe rajonale.
Kreu i Qendrave Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Jean Kaseya, theksoi se respektimi i masave sanitare mbetet jetik, sidomos gjatë ceremonive mortore.
“Nuk duam që njerëzit të infektohen për shkak të funeraleve”, tha ai për BBC World Service.
Ekspertët kujtojnë se gjatë shpërthimit të madh të Ebolës në Afrikën Perëndimore në vitet 2014-2016, funeralet tradicionale kontribuan ndjeshëm në përhapjen e virusit. Gjatë asaj periudhe, mbi 28,600 persona u infektuan dhe 11,325 humbën jetën në vende si Guinea, Sierra Leone, SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia.
OBSH u ka bërë thirrje Republikës Demokratike të Kongos dhe Ugandës të forcojnë kontrollet kufitare dhe monitorimin shëndetësor për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit. Ndërkohë, vendet fqinje, përfshirë Ruandën dhe Nigerinë, kanë njoftuar masa shtesë mbikëqyrjeje dhe gatishmërie.
/rtsh.al/