Përjashtim nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë për investime në tri fusha

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj njoftoi sot masa të reja fiskale për vitin 2026, të cilat mbështesin kulturën, sportin dhe kërkimin shkencor.
Sipas Malajt, do të zgjerohet numri i kategorive që mund të përfitojnë nga sponsorizimet, ndërsa të ardhurat nga këto sponsorizime do të përjashtohen nga tatimi, duke rritur mbështetjen për aktivitete kulturore, sportive dhe shkencore.
Në Paketën Fiskale përfshihet gjithashtu përjashtimi nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë për investimet e financuara nga buxheti i njësive të qeverisjes qendrore dhe vendore. Ky përjashtim do të aplikohet për ndërtimet me qëllime publike në sektorët e arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale.
/a.f/r.e/