Buxheti 2026, 204.1 miliardë lekë për skemën e sigurimeve shoqërore

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Shpenzimet e fondeve speciale, që përfshijnë shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve janë planifikuar në vlerën prej 286.6 miliardë lekë për vitin 2026.
Kështu deklaroi sot ministri i Financave, Petrit Malaj gjatë diskutimit për projektbuxhetin 2026 në seancën plenare të Kuvendit.
Lidhur me nivelin e shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2026, Malaj bëri të ditur se “parashikohen në masën 204.1 miliardë lekë dhe nga ky fond, për indeksimin e pensioneve është parashikuar niveli prej 1.65 miliardë lekë dhe 10 miliardë lekë për shtesën e rritjes së pensioneve, që planifikohet të shtrihet dhe në periudhën afatmesme”.
Ndërsa, vijoi Malaj, shpenzimet e Skemës së Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2026 janë parashikuar në masën 67.3 miliardë lekë.
“Shpenzimet për Fondin e Kompensimit në vlerë të ish- Pronarëve parashikohen në total në masën 3.5 miliardë lekë, me një shtesë prej 500 milionë lekë, krahasuar me vitin 2025.
Shpenzime të tjera sociale, përfshijnë fondet për pagesën e papunësisë, aftësisë së kufizuar, ndihmës ekonomike, dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë dhe bonusin e lindjeve. Më konkretisht: shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në nivelin 1 miliard lekë; shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 23.9 miliardë lekë; për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1.5 miliardë lekë dhe për bonusin e bebeve është parashikuar një fond prej 2.3 miliardë lekë”, tha Malaj.
/k.s/a.f/