Përkujtohet 30 vjetori i eksodit me anijen “Vlora”

Durrësi dhe Bari përkujtuan të enjten 30 vjetorin e eksodit të mijëra shqiptarëve me transoqeanikun “Vlora”, drejt Italisë.
Bëhet fjalë për një nga momentet më drithëruese në historinë moderne të Shqipërisë, kur rreth 20 mijë shqiptarë, të dëshpëruar nga jeta nën regjimin komunist, morën rrezikun në sy dhe larguan me shpresë për një jetë më të mirë drejt Europës.
Pas dy eksodeve historike, atyre të ambasadave të korrikut ’90 dhe anijeve të marsit ’91, 8 gusht 1991 shënohet si ngjarja e tretë më e rëndësishme që i dha një goditje të fortë regjimit komunist në Shqipëri, për ta larguar atë nga pushteti disa muaj më vonë.
Pamjet e ofruara në atë kohë nga mediat botërore ishin vërtet të frikshme. Udhëtimi i raskapitës i shqitarëve zgjati tre ditë dhe qyteti që i priti ata ishte Bari.
Për të përkujtuar këtë ngjarje në Durrës u zhvilluan disa aktivitete. Përfaqësues të bashkisë Durrës dhe Bari si dhe ambasadori i Italisë në Shqipëri Fabrizio Bucci, kanë marë pjesë në inagurimin e ekspozitës fotografike “Integrazione/Integrimi” e fotografit Italian Vittorio Arcieri.
Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, gjatë fjalës së rastit mbajtur në këtë aktivitet nënvizoi se 3 dekada më parë personat në bordin e anijes “Vlora” shkruajtën historinë e dy vendeve, Shqipërisë dhe Italisë.
Në shëtitoren Taulantia u përurua simotra e monumentit që do të vendoset edhe në Lungomaren e Barit, në të cilën shkruhet “Sono persone/Janë Njerëz”.
Monumenti i ideuar nga artistja italiane Jasmine Pignatelli, mblodhi rreth vetes përfaqësuesit më të lartë të pushtetit vendor dhe qendror në Durrës, deputetë si dhe përfaqësues nga bashkia e Barit. Vendosja e monumentit në shëtitoren “Taulantia” është simbol i miqësisë mes dy fqinjëve që ndër shekuj kanë konsoliduar marrëdhëniet e tyre.
Përfaqësuesja e bashkisë së Barit Ines Pierucci nënvizoi gjatë fjalës së saj se marrëdhëniet mes dy vendeve startojnë shumë më parë sesa 8 gushti i vitit 1991. “Mirëpritëm ato ditë rreth 20 mijë shqiptarë, të dëshpëruar, që kërkonin ndihmë. Por historia e atyre ditëve është një histori që përsëritet vazhdimisht dhe nuk i përket vetëm Shqipërisë apo Italisë, por të gjithë Evropës” tha ajo.
Autorja e monumentit, skulptorja Jasmine Pignatelli tha se falenderonte popullin shqiptar që zgjodhi pikërisht vendin e saj për të realizuar ëndrrën e tij të lirisë.
Veçantia e këtij monumenti është qasja dy dimensionale e vetë objektit, i cili ka formën e bashit të anijes, por njëkohësisht edhe formën e një libri të hapur.
Në anët e jashtme të librit ka një tekst dedikues të shkruar në alfabetin “mors’: “Janë njerëz, njerëz të dëshpëruar. Nuk mund ti’kthejmë pas, ne jemi shpresa e tyre e vetme”.
Në datën 8 gusht do të zhvillohen aktivitete të ngjashmë në qytetin e Barit në Itali, ku pritet të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të Bashkisë së Durrësi.