E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përkujtohet mjeku Fatos Harito, një auditor në Institutin e Mjekësisë Ligjore do të mbajë emrin e tij

TIRANË, 3 shtator /ATSH/ Në një ceremoni të mbajtur sot në Institutin e Mjekësisë Ligjore, u përkujtua mjeku i njohur Fatos Harito, një ndër themeluesit dhe kontribuesit më të mëdhenj në fushën e mjekësisë ligjore shqiptare. Në këtë aktivitet morën pjesë familjarë, kolegë, ish-studentë dhe personalitete të fushave të drejtësisë dhe mjekësisë.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale e cilësoi profesor Hariton si një figurë të ndritur të drejtësisë dhe mjekësisë shqiptare, teksa vlerësoi edhe rolin e tij në këto fusha.

“Një pionier i mjekësisë ligjore, i cili, me profesionalizëm, integritet dhe përkushtim, formoi breza të tërë studentësh dhe e ngriti këtë shërbim në standarde të reja për vendin tonë”, shkruan Manja.

Në nder të kontributit të tij, Manja nënvzoi se emri i Haritos do të mbetet përgjithmonë në sallat e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

“Emri i tij do të jetojë përgjithmonë në sallën e leksioneve të Institutit të Mjekësisë Ligjore, duke i kujtuar çdo studenti dhe profesionisti të fushës se mjekësia ligjore nuk është vetëm shkencë, por mision në shërbim të së vërtetës dhe drejtësisë. Faleminderit, Profesor, për trashëgiminë që na latë pas!”, shkruan Manja.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›