E Shtunë, 31 Tetor 2026

Perkusionisti i parë

I angazhuar në Filarmoninë e Kosovës, në Gardën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe në grupin Latino Band, muzikanti Asim Gashi ndihet i lumtur me faktin se është perkusionisti i parë në Kosovë, i diplomuar në këtë fushë.

Është i ri. Muzikën e ka pasion dhe profesion. Me muzikë merret që nga fëmijëria, por veten tani e ndien profesionist të kësaj fushe. Asim Gashi nga Drenasi sapo ka diplomuar në muzikë. Ajo që mund të duket e veçantë është se ka diplomuar në drejtimin e perkusioneve. Kjo e bënë atë perkusionistin e parë të diplomuar.

Shkollën e mesme të muzikës e ka kryer në ‘Prenkë Jakova’, drejtimi i përgjithshëm. Pas përfundimit të shkollës së mesme, Gashi studimet i ka vazhduar në Kroaci, por mbas një kohe i është dashur të kthehej në Kosovë, për shkak të kushteve financiare.

“Kur u ktheva në Kosovë, e bëra një pauzë. Drejtimi të cilin unë tash e kam përfunduar është hapur si degë e re në Universitetin e Prishtinës, dhe unë dhe një koleg tjetër jemi si kuadri i parë i perkusionistave të Kosovës. Pasi e përfundova provimin e diplomës unë edhe ligjërisht mund të them se jam studenti i parë në Kosovë, i diplomuar për drejtimin e perkusioneve”, thotë ai.

Ndryshe, perkusione është një term ndërkombëtar, që në gjuhën shqipe i bie instrument me të goditura.

“Aty përfshihen të gjitha instrumentet që kanë të bëjnë me të goditura. Ne luajmë në daulle, def, timpana, ksilofon, vibrafon, marimba”, tregon Gashi, derisa thekson se e ka përjetuar mirë faktin që është perkusionisti i parë kosovar.

Ai tani është pjesë e Filarmonisë së Kosovës dhe e orkestrës së Gardës së Forcës së Sigurisë së Kosovës. Qysh si fëmijë kishte dëshirë të madhe të bëhej daullist. Ndërkohë, e pa të udhës që të mos mbetej vetëm daullist, por të merrej profesionalisht me të gjitha llojet e instrumenteve me të goditura.

“Që në fëmijëri ritmi më ka tërhequr shumë. Kjo më ka shtyrë që ta vazhdojë këtë profesion”, tregon Gashi, i cili diplomoi në Shkup, por si kuadër i Universitetit të Prishtinës. Lëndën e perkusionit e kishte vazhduar në Shkup ngase në Kosovë nuk kishte kuadro.

Për nëntë vite ka bërë muzikë me grupin Latino Band, por tani punët dhe angazhimet profesionale kanë bërë që të mos jetë aq shumë i angazhuar në këtë grup.

“Tash më shumë jam si bashkëpunëtor, pasi që secili i ka angazhimet dhe punët e veta. Më shumë iu kemi përkushtuar profesionalizmit, por si bend bashkëpunojmë ende”, tregon ai, derisa sqaron se planifikon të vazhdojë studimet master në këtë fushë - në Shkup, ose diku tjetër në rajon.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›