E Martë, 3 Nëntor 2026

Përmbyllet ‘Act Now 2025’, një hap përpara drejt Shqipërisë digjitale

TIRANË, 2 qershor /ATSH/ ACT NOW 2025, eventi kryesor i Shqipërisë për inovacionin dhe teknologjinë, përmbylli programin e tij dy-ditor duke konfirmuar lidershipin e vendit drejt transformimit digjital në Ballkanin Perëndimor.

I organizuar nga Këshilli Shqiptar për Teknologjinë dhe Inovacionin (ACTI), eventi mblodhi gjigantët e teknologjisë nga rajoni e bota, politikëbërësit, investitorët, startup-et dhe ekspertët e sigurisë kibernetike për të diskutuar të ardhmen e inovacionit dhe teknologjisë.

ACT NOW 2025 nisi më 29 maj me një mbrëmje të veçantë rrjetëzimi ku morën pjesë anëtarët e bordit të ACTI-t, partnerët e eventit, folësit dhe përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore.

Konferenca, ngjarja kryesore e ACT NOW 2025, nisi më 30 maj me fjalët përshëndetëse të Ermal Beqiri, Kryetar i Bordit të ACTI-t; Mirlinda Karçanaj, Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit; dhe Blendi Gonxhja, ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Gjatë fjalës së tij, ministri Gonxhja lançoi edhe nismën kombëtare “Albania Future Now”, një iniciativë e re në bashkëpunim me EU4Innovation për të përshpejtuar transformimin digjital dhe zhvillimin e drejtuar nga inovacioni në të gjithë vendin.

Konferenca nisi me fjalime nga  Kozeta Garrett, Partnere Globale për Sigurinë Kibernetike në Microsoft, mbi të ardhmen e sigurisë kibernetike në një botë të drejtuar nga inteligjenca artificiale, dhe  Ekaterina Solovova, Drejtuese e BERZH-it në Shqipëri, e cila theksoi rolin strategjik të bankës në mbështetjen e transformimit të udhëhequr nga teknologjia.

Në mesditë, agjenda u përqendrua në strategjinë kombëtare digjitale. Paneli “Rruga Përpara drejt Shqipërisë Digjitale 2030” përfshiu  Delina Ibrahimaj, ministre Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit; Mirlinda Karçanaj; Igli Tafa, Drejtor i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike; dhe Sokol Duma, Zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Diskutimi u fokusua te objektivat strategjikë digjitalë të Shqipërisë, Strategjia për Startup-et dhe rëndësia e përputhshmërisë ndërinstitucionale për inovacionin e qëndrueshëm.

Paralelisht nisi edhe sfida “Cyber Drill Challenge”, një garë e shpejtë me skenarë të sigurisë kibernetike që testoi aftësitë e reagimit në kohë reale të profesionistëve, studentëve dhe entuziastëve. Fitues i sfidës u shpall Alvi Skita, i cili mori çmimin “Cyber Drill” për aftësitë e treguara përgjatë kësaj sfide.

Sesioni i pasdites vijoi me një fjalim nga Dane Hinic, Menaxher i Qendrës së Ekselencës në IBM, i cili foli mbi “Agentic AI” dhe ndikimin e tij në biznes, qeverisje dhe etikë. Më pas pati një bisedë të lirë mes anëtarëve të bordit të ACTI-it dhe kompanive anëtare të ACTI-it:  Andis Papa, CEO në Fastech; Gentian Likaj, CEO në Communication Progress; Brano Djurovic, CEO në One Albania; Kushtrim Shala, CEO në ALBICT; Gjergji Mulla, CEO në Helius Systems; dhe Bernard Toci, CEO në Synapse. Ata reflektuan mbi sfidat e ekosistemit dhe theksuan nevojën për infrastrukturë më të fortë, investime dhe zhvillim të talenteve.

Fjalimi përmbyllës u mbajt nga Onur Koc, Oficeri Rajonal i Teknologjisë për Europën Juglindore në Microsoft. Ai trajtoi temën “AI with Purpose: Shaping Agentic AI and Microsoft’s Vision”, duke u fokusuar te evolucioni etik i inteligjencës artificiale dhe potenciali i rajonit për të udhëhequr zhvillimin e përgjegjshëm të Inteligjencës Artificiale.

Mbrëmja kulmoi me Ceremoninë e Çmimeve ACT NOW 2025 dhe Darkën Gala. Fjalët përshëndetëse u mbajtën nga Ermal Beqiri dhe Delina Ibrahimaj.

Më pas, një panel me investitorë ndërkombëtarë diskutoi për fuqizimin e themeluesve të guximshëm në Ballkanin Perëndimor dhe potencialin e investimeve në rajon. Në panel morën pjesë: Vuk Lau (Silicon Gardens), Maaike Doyer (Epic Angels), Maria Carolina Romero (Business Angel), Eli Zhabevska (South Central Ventures), Keo Sar (Dream VC), dhe Ardian Hoxha (Keiretsu Forum South East Europe), i moderuar nga investitori dhe CEO  Ravik Mima.

Gjashtë startup-et finaliste prezantuan live për çmimin e madh ACT NOW Grand Prize përpara audiencës dhe një jurisë së përbërë nga: Delina Ibrahimaj, Sokol Duma, Mirlinda Karçanaj, Igli Tafa, Josh Miekley, Human-Centered Strategist; Aleksandër Biberaj, Shef i Departamentit të Elektronikës dhe Telekomunikacionit në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit, Universiteti Politeknik i Tiranës; dhe  Leonora Kusari, Drejtuese dhe Koordinatore Rajonale BIP, SME F&D në BERZH.

Fituesit e çmimeve ‘ACT NOW 2025’ ishin:

Youth Prize: LookUp Parking nga Xhurian Shaba u shpërblye me 2,500 euro, për aplikacionin e tij që lidh shoferët që kërkojnë parkim me persona që kanë hapësira të lira. Aplikacioni krijon një marketplace të thjeshtë e dinamik ku shoferët mund të gjejnë, rezervojnë dhe paguajnë parkimin, ndërsa pronarët mund të vendosin çmimet dhe të gjenerojnë të ardhura.

Cyber Drill Prize: Alvi Skita fitoi 2,500 euro për performancën e tij të jashtëzakonshme në sfidën Cyber Drill, ku zgjidhi me sukses një seri skenarësh të ndërlikuar në një garë që mblodhi mbi 20 profesionistë dhe entuziastë të sigurisë kibernetike nga i gjithë vendi.

Çmimi i Madh ACT NOW Grand Prize 50,000 euro: InsectIntel, një startup që po transformon mbrojtjen e të korrave në bujqësi përmes kurtheve inteligjente me inteligjencë artificiale dhe analizave në kohë reale. Pajisjet e tyre IoT me energji diellore kapin imazhe insektesh në terren, identifikojnë llojin me modele të trajnimit të veçantë të vizionit kompjuterik dhe njoftojnë menjëherë fermerët.

1 nga 8

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›