E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbyset autobusi, një i vdekur, gjashtë të plagosur

 

Aksidenti automobilistik ndodhi në Lezhë. Mbetet i vdekur motorciklisti

LEZHE- Për t’iu shmangur përplasjes me një motorcikletë, një autobus i linjës Shkodër-Tiranë është përmbysur duke rënë në kanal. Për pasojë, bilanci ka rezultuar me vdekjen tragjiketë një 40 -vjeçari dhe plagosjen e 6 pasagjerëve të tjerë. Sipas burimeve policore, aksidenti ndodhi në afërsi të fshatit Mabe të Lezhës, rreth orës 8.20 minuta të mëngjesit të djeshëm, kur autobusi me targë TR 6408 J, i cili udhëtonte me pasagjerë nga Shkodra për në Tiranë është përmbysur duke rënë në kanal së bashku me pasagjerët që mbante brenda. Sipas këqyrjeve të policisë rrugore të Lezhës dhe ekspertëve të saj, ka qenë pikërisht motorcikleta që i ka ndërprerë rrugën autobusit, ndaj drejtuesi i tij, për të mos u përplasur me të, ka devijuar duke rënë në kanalin anësor të rrugës. Megjithë manovrimin e shpejtë të autobusit, motorcikleta është përplasur në parakolpin e autobusit, ku ka gjetur vdekjen e menjëhershme drejtuesi i motocikletës Dashamir Medja, 40 -vjeç, ndërsa janë plagosur edhe 5 pasagjerë të autobusit si dhe djali 13- vjecar i drejtuesit të motocikletës. Kalimtarë të rastësishëm dhe policia që ka vajtur menjëherë në vendngjarje kanë transportuar të plagosurit për në spitalin e Lezhës dhe tashmë 6 të plagosurit nga ky aksident ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, policia ka bërë ekspertizën e vendit të ngjarjes, për të saktësuar shkaqet e këtij aksidenti që solli një bilanc tragjik me humbjen e një jete dhe plagosjen e 6 të tjerëve. Personat që ndodheshin në autobus ishin udhëtarë kosovarë dhe nga Shkodra, që ishin nisur nga Tirana në drejtim të Shkodrës. Ata kanë vazhduar udhëtimin me një autobus tjetër që ka ardhur në vendin e ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›