Përmbytja në Vlorë pas reshjeve, Dredha: Situata është kthyer në normalitet brenda dy orësh

Reshje të dendura shiu përfshinë sot qytetin e Vlorës, duke shkaktuar përmbytje në disa zona, përfshirë rrugën “Albano dhe Romina” dhe lagjen historike të Muradies. Prurjet e mëdha të ujit bllokuan përkohësisht automjetet në disa segmente rrugore, duke vështirësuar qarkullimin.
Kryetari i Bashkisë, Ermal Dredha, reagoi menjëherë, duke theksuar se situata ishte kthyer në normalitet brenda dy orësh.
Sipas tij, reagimi i shpejtë i ekipeve të Ujësjellësit dhe shërbimeve të bashkisë bëri të mundur pastrimin e pusetave dhe rivendosjen e qarkullimit.
Zonat më të prekura ishin lagja “Skelë”, zona pranë bibliotekës publike, rreth Kishës Ortodokse dhe sheshi “Albano & Romina”. Bashkia njoftoi se puna për pastrimin e plotë të territorit po vazhdon.
/rtsh.al/