E Hënë, 2 Nëntor 2026

Trump letër Osmanit: Mike e vërtetë e SHBA. Pranimi i shtetasve nga vendet e tjera, dëshmi e bashkëpunimit tonë të ngushtë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë një letër nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në të cilën ai shpreh falënderimet për përkushtimin dhe miqësinë e Kosovës ndaj SHBA, duke vlerësuar lidershipin e guximshëm të presidentes dhe gatishmërinë e Kosovës për të thelluar bashkëpunimin në të ardhmen.

Në letrën e tij, Presidenti Trump thekson se vendimi i Kosovës për të pranuar shtetas nga shtete të tjera është një dëshmi e fortë e angazhimit të Kosovës për të bashkëpunuar ngushtë me SHBA-në, duke vënë në dukje se ky veprim tregon “fuqinë dhe dhembshurinë” e popullit kosovar.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë, të bazuar në respektin e ndërsjellë, vlera të përbashkëta demokratike dhe një vizion për një të ardhme paqësore dhe prosperuese. Përkushtimi juaj për forcimin e kësaj lidhjeje nuk ka kaluar pa u vërejtur, dhe jam i bindur se së bashku do të vazhdojmë të avancojmë qëllimet tona të përbashkëta,” shkruan presidenti Trump.

Ai gjithashtu vlerëson kontributin e presidentes Osmani për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe siguron se bashkëpunimi mes dy vendeve do të vazhdojë të avancojë në vitet që vijnë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›