E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet, PD kërkon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, Bozdo: Dëmet nuk i bëri shiu, por kanalet e bllokuara

Partia Demokratike ka kërkuar sot shpalljen e menjëhershme të gjendjes së jashtëzakonshme në zonat e përmbytura dhe dëmshpërblim 100% për fermerët e prekur.

Në një deklaratë për mediat, deputeti demokrat Enno Bozdo akuzoi drejtpërdrejt pushtetin qendror dhe atë vendor për neglizhencë. Sipas tij, katastrofa në tokat bujqësore nuk është pasojë e “tërbimit” të natyrës, por e mungesës totale të mirëmbajtjes së infrastrukturës kulluese.

Bozdo solli në vëmendje situatën e vështirë në qarqet Berat, Korçë, Gjirokastër, Sarandë dhe Lezhë. Ai theksoi faktin se niveli i ujit nuk ka rënë prej një jave, çka, sipas tij, “është prova më e qartë se kanalet kulluese janë jashtë funksionit”.

“Në javën e fundit, mijëra gjedhë u mbytën dhe qindra hektarë tokë bujqësore e sera u shkatërruan. Fakti që edhe pas një jave ujërat ende nuk janë tërhequr, tregon qartë se problemi nuk kanë qenë reshjet, por fakti që kanalizimet nuk funksionojnë,”, u shpreh deputeti.

Ai shtoi se balta e mbetur e ka bërë të pamundur vjeljen e prodhimit, duke lënë fermerët pa asnjë të ardhur pas një viti pune.

Akuza për kryebashkiakët e Beratit, Dimalit dhe Kuçovës

Deputeti u ndal specifikisht në zonën e Beratit, duke përmendur fshatrat e prekur si Kozare, Tapi, Hingë, Samaticë, etj. Ai akuzoi kryebashkiakët socialistë të Dimalit dhe Kuçovës se prej vitesh nuk kanë investuar asnjë qindarkë për pastrimin e kanaleve.

“Të dy kryebashkiakët socialistë kanë detyrim të bëjnë publike të dhënat: Sa investime kanë bërë? Cilat janë kompanitë fituese? Nuk ka ndodhur asnjë mirëmbajtje në terren,”, denoncoi Bozdo.

Gjithashtu, ai bëri përgjegjëse Bashkinë e Beratit edhe për përmbytjen e bizneseve në qendër të qytetit, duke e lidhur këtë me projektime të gabuara inxhinierike buzë lumit Osum.

Në emër të opozitës, Bozdo i bëri thirrje Ministrit të Bujqësisë dhe atij të Financave që të nisin urgjentisht përllogaritjen e dëmeve. Ai theksoi se fondet ekzistojnë, duke iu referuar Aktit Normativ të miratuar dy javë më parë.

“Paratë janë. Qeveria shpërndau qindra milionë euro për shpenzime administrative. Këto para janë të domosdoshme për fermerët që kanë humbur kursimet e jetës. Qeveria të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme dhe të dëmshpërblejë 100% çdo dëm. Mundësitë janë, mungon vetëm vullneti,”,  përfundoi Bozdo.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›