Shqipëri- OSBE, konferencë për Aktin e Helsinkit, Spiropali: Organizata duhet të formësohet që t’i përgjigjet realiteteve të sotme dhe të nesërme

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, organizuan sot një konferencë të nivelit të lartë me temë: “Transformimi dhe angazhimi i Shqipërisë me OSBE-në: Nga Akti Final i Helsinkit deri më sot”.
Eventi bëri bashkë përfaqësues të lartë qeveritarë, trupin diplomatik, akademinë dhe shoqërinë civile, për të reflektuar mbi rrugëtimin e Shqipërisë nga një vend i izoluar hermetikisht, në një anëtar aktiv dhe drejtues të organizatës në vitin e vështirë 2020.
Spiropali: OSBE duhet t’i përgjigjet realitetit të sotëm
Konferenca u çel nga Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, e cila vuri theksin te nevoja për reformimin e organizatës për t’u përballur me sfidat moderne.
“Do të doja të përgëzoja Kryesinë Finlandeze për fokusin e saj në të ardhmen e OSBE-së përmes iniciativës Helsinki+50. Kjo iniciativë nuk ka të bëjë vetëm me shënimin e një përvjetori. Objektivi është të formësohet një OSBE që mund t’i përgjigjet realiteteve të sotme dhe të nesërme,”, deklaroi Spiropali.
Mesazhet e diplomatëve
I dërguari Special i Kryetarit të Radhës të OSBE-së, Ambasadori Terhi Hakala, vlerësoi Shqipërinë si një anëtare të përkushtuar që nga fillimi i tranzicionit demokratik. Ai theksoi se qasja e Helsinkit, që e sheh paqen të pandashme nga të drejtat e njeriut dhe bashkëpunimi ekonomik, mbetet jetike.
Nga ana tjetër, Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadori Michel Tarran, solli në vëmendje bashkëpunimin gati 30-vjeçar, duke nisur nga operacioni në terren i vitit 1997 e deri më sot.
“Arkitektët e Helsinkit e kuptuan mirë: siguria është një përpjekje e përbashkët. Dialogu është më i qëndrueshëm se përçarja. Këto nuk janë ideale abstrakte; ato janë themeli për stabilitet në një epokë të trazuar,”, u shpreh Tarran.
Reflektimi historik
Gjatë paneleve të diskutimit, ekspertë dhe historianë analizuan trajektoren e Shqipërisë, pranimin në KSBE/OSBE në fillim të viteve ’90 dhe transformimin e saj. Një pikë kyçe e diskutimit ishte suksesi i Shqipërisë gjatë Kryesisë së OSBE-së në vitin 2020, një vit i shënuar nga pandemia globale dhe krizat gjeopolitike, ku Tirana zyrtare demonstroi lidership në parandalimin e konflikteve.
Konferenca u mbyll me riafirmimin e angazhimit për të mbrojtur parimet e dialogut dhe sigurisë gjithëpërfshirëse në rajon dhe më gjerë.
/rtsh.al/