Permbytjet, agjencitë doganore, ‘bojkot’ ndihmave
SHKODER- Agjencitë doganore në Shkodër “flenë”. Jo vetëm kaq, por kur të gjithë janë të përfshirë dhe angazhuar për të kapërcyer situatën e përmbytjeve, në kohën kur kanë ardhur ndihma nga shumë zona brenda dhe jashtë vendit, agjencitë doganore në Shkodër vazhdojnë ritmin “normal” të punës. Kamionë të ardhur nga Kosova, Maqedonia apo gjetkë, mbërrijnë në Shkodër pas shumë orësh rrugë të gjatë, por këtu nuk mbaron puna e tyre. Madje, fillon një udhëtim akoma më i gjatë mes burokracisë dhe neglizhencave, që për shoqëruesit e ndihmave është më se absurde. Shkodranët që kanë dalë t’i presin ndihmat e sjella nga Kosova e vendet fqinje ndihen shumë keq para kësaj situate. “është e pafalshme që të ketë një situatë të tillë. Këta persona vijnë të na ndihmojnë, ndërsa ne këtu i sjellim nga njëra zyrë në tjetrën dhe askush nuk merr përsipër që të plotësojë dokumentacionin. Të them të drejtën, më vjen shumë turp ndërsa i shoqëroj”, - thotë një nga shoqëruesit shqiptarë të ndihmave. Sipas tij, agjencitë doganore, duke qenë private, nuk kanë interes të kryejnë veprime me ndihmat, ndaj dhe hezitojnë t’i përvishen punës. Të gjithë kamionët që vijnë me ndihma nga komuna apo shoqata të ndryshme nga jashtë vendit duhet të zhdoganohen. Ndaj, agjencitë doganore në këto raste luajnë një rëndësi të veçantë. Në situatën e emergjencës, agjencitë doganore duhej të kishin një shërbim me orar të zgjatur, pse jo dhe 24 orë, për t’ju përgjigjur kërkesave për zhdoganime. Por, në fakt agjencitë doganore as që kanë menduar për një gjë të tillë. Paraditen e së enjtes, në Shkodër ka mbërritur një sasi e konsiderueshme ndihmash nga Tetova. Ndihmat e ardhura ishin në dy kamionë të mëdhenj 30-tonësh. Bëhet fjalë për ushqime, veshmbathje, orendi shtëpiake, pajisje elektronike si dhe lëndë e parë për riparimin e shtëpive. Kanë mbërritur në Shkodër, qytet, rreth orës 12:00 të së enjtes, por nuk kanë mundur të kryejnë punë shumë lehtë. U është dashur të presin orë të tëra, të shkojnë sa tek njëra agjenci doganore tek tjetra, sepse nuk gjendej një person i gatshëm për të kryer veprimet. Rreth orës 17:00, pra pas pesë orësh, është bërë e mundur që të gjendet një punonjës i një agjencie doganore që t’i shërbejë grupit të ardhur nga Tetova. Malli ka mbërritur në magazinë vetëm rreth orës 20:00. Ndërsa në Shkodër të gjithë janë në këmbë dhe në gatishmëri totale për situatën e përmbytjeve, “qetësia” e agjencive doganore duket e çuditshme. Rasti i ndodhur ditën e djeshme, shpresojmë të jetë i fundit. Shtabi i emergjencës i vendosur në Prefekturën e Shkodrës duhet të mendojë edhe për këtë problem, pra zhdoganimin e ndihmave. Nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë me ndihmat që vijnë nga jashtë vendit. Madje, sa herë kemi situata të ngjashme, problemi kryesor është dogana. Në shumë raste është kërkuar që për zhdoganimet e ndihmave të paguheshin shuma të mëdha, të cilave institucionet pritëse nuk ishin në gjendje që t’u përgjigjeshin.(s.g/BalkanWeb)