Shkodër, ulet numri i sipërfaqes së përmbytur, sot 9340 ha tokë nën ujë
SHKODER-Qarku i Shkodrës hyri sot në ditën e 14 të përmbytjeve. Prej dy ditësh kanë ndaluar reshjet të shiut, pas një periudhe 2 javore me reshje të dendura, duke kthyer tek banoret e zonave të përmbytura shpresën për normalizimin e situatës. Ndonëse është rritur sipërfaqja e tokës së zhytur nën ujë, niveli i ujërave ka shënuar rënie jo vetëm në qytet, por edhe në komunat e izoluara nga përmbytjet. Ora 17:00- Ulet niveli i sipërfaqes së përmbytur, sot 9340 ha tokë nën ujë Sipas të dhënave të fundit të orës 15:00 nga ministra e Brendshme ka pasur përmirësim të konsiderueshëm të situates së përmbytjjeve, veçanërisht në komunat Bërdicë, Guri i Zi, Qendër M. Madhe, Bushat, Dajç. është ulur numri i sipërfaqeve të përmbytura nga 11.400 ha që ishte dje në 9340 ditën e sotme, ndërsa numri i shtëpive të përmbytura është 2169 nga 2649 që ishte dje. Mësohet se numri i personave të evakuuar është 5173. Për sa i përket kalueshmërisë në rrugë dhe akse, mësohet se rruga e Dajcit, e bllokuar prej disa ditësh aktualisht është e kalueshme, i kalueshëm vetëm me kamionë është edhe aksi Dajc-Penter, ndërsa aksi Penterë-Velipojë vazhdon të jetë i pakalueshëm. Akse të tjera problematike vazhdojnë të jenë Mali i Jushit-Velipojë, Ana e Malit-Obot, si dhe Ura e Gjolulit. Nga të dhënat më të fundit nga KESH deri në orën 15:00 mësohet se niveli i ujit në hidrocentrale ka rënë duke ulur kështu edhe sasinë e shkarkimeve. Niveli i ujit në Fierzë është 289.99 m, ndërsa prurjet janë 400 m kub/sek dhe derdhjet 370 m kub/sek. Në Koman niveli i ujit është 170.84 metër, ndërsa prurjet janë rreth 120 m kub/sek, kurse derdhjet 640 m kub/sek. Në hidrocentralin e Vaut të Dejës niveli i ujit është 74.66 metër, prurjet arrijnë deri në 80 m kub/sek, ndërsa derdhjet janë më të mëdha nga të gjitha hidrocentralet me 800 m kub/sek. Topi: Situata drejt normalizimit. Siguria kombetare u monitorua cdo minute Presidenti Bamir Topi kërkon kompensim real për të gjithë banorët e qarkut të Shkodrës të prekur nga përmbytja. Pas inspektimit të fshatit Obot, në një prononcimim për shtyp kreu i shtetit u shpreh optimist se situata po shkon drejt normalizimit. “Kemi një thithje të dukshme të ujit nga Buna. Jam i bindur se me masat që po ndërmerren, me ndihmën dhe të kushteve të motit,situata do të kthehet drejt normalitetit”- deklaroi presidenti duke falenderoi të gjithë strukturat e shtetit, forcat e ushtrisë dhe të policisë e shoqatat të cilat demonstruan solidaritet në menaxhimin e situatës. Presidenti falenderoi gjithashtu dhe partnerët ndërkombëtar për gadishmërinë e tyre si dhe median për paraqitjen me transparencë dhe pa u lodhur situatën në gjithë këto ditë. “Pa tjetër kjo zonë do i kthehet normalitete me ndihmën e sttrukutarve të shtetit Të vazhdojë bashkëpunimi. Evidentimi i dëmeve që kanë ardhur nga kjo situatë. Shteti të bëjë të mundur që gjithcka të kompensohet. Jam i bindur që kompensimi do të jetë real në bazë të një gjykimi dhe profesional.”- theksoi presidenti Topi. Më tej kreu i shtetit shtoi se prania e tij dhe e ambasadorëve ndërkombëtar është një hap që do të pasojë investimet e shumta si dhe riaktivizimin e disa projekteve që kanë mbetur pa u bërë në këtë zonë, duke kujtuar se është koha që Shqipëria dhe Mali i Zi të realizojnë jo vetëm thellimin e Bunës, por bonifikimin substancial të zonës. Presidenti theksoi se siguria kombëtare u monitorua në cdo minutë të 24 orëshit dhe se Instituti i Këshuillit të Sigurimit Kombëtar ka qenë në terren dhe ka monitoruar situatën në cdo moment. Withers: SHBA ndihma për asistencë dhe rehabilitimin e zonave të përmbytura Ambasadori amerikan Jon Withers deklaroi se qeveria e SHBA-të po shqyrton situatën dhe nesër do të mësohet mbi fazën e parë të asistencës që do të japë për Shqipërinë. “Sapo jam kthyer nga SHBA. Qeveria ime në të vërtetë është përqëndruar në këtë situatë dhe ne nesër do të bëjmë me dije fazën e farë të asistencës që dëshirojmë të ofrojmë. Ajo do të pasohet me fazën e rikuperimit dhe rehabilitimin e banorëve.”- deklaroi ambasori ëithers duke shtuar “Jemi të impresionuar me mënyrën si e kanë përballuar këtë situatë banorët” Lohan: Ofruam ndihmë konkrete për zonat e përmbytura, Montobio falenderoi median Ambasadori i Komisionit Europian Helmut Lohan tha se Bashkimi Europian ka shprehur gadishmërinë për të ndihmuar Shqipërinë në përballimin e situatës duke dërguar grupet e ekspertëve dhe ndihmave konkrete. Në kuadër të solidaritetit Lohan ftoi të gjithë të bashkohen në solidaritet edhe për viktimat e tërmetit në Haiti. “Falenderoj presidentin që na ftoi të shikonim nga afër situatën. Kjo ishte e rëndësishme për ne. BE ka pasur mundësi që të shprehet duke dërguar një grup ekspertësh të cilët kanë asistuar autoritete vendore si dhe shumë vende partnere kanë ndihmuar duke dërguar ndihma konkrete. Ambasadori spanjoll Manuel Montobbio falenderoi shtetin shqiptar për mënyrën si koordinoi situatën dhe popullin shqiptar që ndihmuan për përballimin e situatës dhe median për prezantim me transparencë të saj. Ora 13. 50 Topi e ambasadorët inspektojne Obotin, fshatin e izoluar nga uji Presidenti Bamir Topi dhe ambasadori amerikan John Withers, ambasadori i Komisionit Europian Helmut Lohan, ambasadori spanjoll Montobio, vendi i të cilin mban presidencën e rradhës së BE, rreth orës 12. 00 kanë mbërritur në komunën Ana e Malit. Takimi i parë i kreut të shtetit dhe delegacionit të ambasadorëve është zhvilluar me pushtetarët lokalë të komunës Ana e Malit. Pas takimit me dyer të mbyllurai cili ka zgjatur rreth 30 minuta, presidenti Topi dhe ambasadorët janë takuar me banorët, banesat e të cilëve janë përmbytur. Gjatë takimit presidenti Topi mësohet se ka përgëzuar vendorët për punën që është bërë duke theksuar se është e rëndësishme të kapërcejmë këtë moment. “Kam parë ndjenjë përgjegjësie e profesionalizmi” – i është drejtuar presidenti Topi pushtetarëve vendorë. Më pas zoti Topi, e ambasadorët kanë zhvilluar një takim me banorët. Kreu i shtetit i ka bërë thirrje banorëve për solidaritet duke u shprehur se situata është drejt përmirësimit. Më pas nga ura e Sagjicës zyrtarët e lartë janë nisur për një inspektim në fshatin Obot, një nga fshatrat e prekura nga përmbytjet, në veriperëndim të vendit. Gjatë vizitës kreu i Shtetit e diplomatet u takuan edhe me efektivë të Forcave të Mbështetjes Rajonale të Shkodrës. Ora 09.00 Sosin shirat, Iken uji nga lagjet periferike te Shkodres Gazetarët e NEWS24informojnë sot në mëngjes se në qytetin e Shkodrës, në lagjet periferike, të përmbytur është ulur ndjeshëm niveli i ujit. Në lagjet e dëmtuara nga përmbytjet janë Bahcallëku, Ajasëm, Kirasi, Livadet, Shtëpia e Mushkonjës është e dukshme rënia e nivelit të ujit falë dhe ndëryrjes së ekspertëve nga Maqedonia dhe Kosova për normalizimin e situatës me pompa thithëse. Problematike mbeten zona e nënshkodrës. Komunat e Velpojës, Bushatit, dhe Ana e Malit vazhdojnë të mbesin të izoluara nga uji: Forcat e ushtrisë gjatë gjithë ditës së djeshme kanë ndërmarrë një sërë operacionesh për shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe koncentrate për bagëtitë për banorët e izoluar.Shpërndarja e ndihmave dhe operacionet e tjera është kryer sipas planit të parashikuar në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile. Presidenti Topi, ambasadori amerikan John Withers dhe ambasadori i Komisionit Europian Helmut Lohan, ambasadori spanjoll Montobio, vendi i të cilin mban presidencën e rradhës së BE, pritet të shkojnë sot në qytetin verior te Shkodrës ku do te vizitojne zonat e permbytura. Sipas njoftimit zyrtar te presidences kreu i shtetit si dhe përfaqësues të lartë të trupit diplomatik do të shohin nga afër gjëndjen e vështire te krijuar ne kete zone si pasoje e permbytjeve te renda te shkaktuara aty. Vijon dhe sot operacioni per ndarjen e ndihmave Vijon sot operacioni për shpërndarjen e ndihmave ushqimore për banorët e zonës së dëmtuar nga përmbytjet në rrethin e Shkodrës, sipas planit të përcaktuar nga Komiteti Ndërministror i Emergjencave civile. Sipas burimeve të këtij Komiteti mësohet se gjatë ditës së sotme forcat e Ushtrisë, Policisë dhe atyre të institucioneve të tjera të angazhuara për përballimin e situatës së emergjencës do të dërgojnë në komunën e Velipojës, 15 ton miell, 15 ton koncentrat, 15 ton ujë, 800 bukë; në komunën Bërdicë 5 ton miell, në Bushat 5 ton miell dhe 4 mjete të ushtrisë për transport mallrash ushqimore; në komunën e Dajçit 15 ton miell, 10 ton koncentrat për blegtorinë, 10 ton ujë, në Bashkinë Shkodër 3 mjete për shpërndarje 4 ton uji, 200 pako ushqimë dhe 5 ton koncentrate si dhe në Komunen Ana e Malit, 10 ton miell, etj. Demi Nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile pranë Ministrisë së Brendshme bëhet me dije se janë përmbytur gjithsej 11.400 ha tokë dhe rreth 2649 shtëpi. Ndërsa, janë evakuuar 5148 persona. Zonat më të prekura janë komuna Bushat, me 2500 ha tokë dhe rreth 300 shtëpi të përmbytura; komuna Bërdicë, me 2100 ha tokë; Dajçi e Velipoja, me nga 2000 ha tokë nën ujë. Gjithashtu, në Dajç është shënuar edhe numri më i madh i shtëpive të përmbytura, me rreth 1187. (s.g/m.a/BalkanWeb)