E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet bllokojnë periferinë e Malishevës

Shiu që ka rënë tërë ditën e premte ka krijuar bllokada në daljen e Malishevës që çon për në Banjë dhe ndërmjet fshatit Mirushë e Gurbardh. Policia ka qenë prezent në orët e pasdites pak pasi është bllokuar rruga dhe së bashku me zjarrfikësit i ka ndihmuar të kalojnë rastet emergjente nga njëri krah në tjetrin.

“Ka rreth një orë e gjysmë që është bllokuar rruga dhe ne jemi këtu së bashku me zjarrfikësit në ndihmë të rasteve emergjente dhe të gjithë atyre që kanë nevojë”, ka thënë polici Fadil Krasniqi, rreth orës 17:00.

Qytetarë të ndryshëm janë detyruar të kthehen nga ky vend dhe e kanë shfrytëzuar rrugën alternative Banjë-Karvansari-Guriq-Pagarushë-Dragobil, për të arritur në Malishevë dhe anasjelltas për në Banjë. Hasim Mazrreku, një qytetar i Malishevës, është ankuar se livadhet e tij po përmbyten gjithmonë në raste të tilla.

“Duhet gjetur një zgjidhje komuna, përndryshe gjithnjë do ta kemi këtë problem”, ka thënë ai, shkruan Koha ditore.

E vërshuar tërësisht ka qenë edhe fusha e futbollit ku klubi i Malishevës i zhvillon ndeshjet.

Esat Paçarizi, drejtor i Drejtorisë së Urbanizimit në KK të Malishevës, ka thënë se bllokada që është bërë në daljen e Malishevës në drejtim të Banjës ka ardhur për shkak të disa ndërtimeve të vonshme që kanë ndodhur në atë pjesë.

“Që të evitohet bllokada e rrugës në raste të tilla të vërshimeve duhet futur një gyp ndërmjet ndërtimeve dhe ne po e synojmë ta bëjmë këtë sa më parë”, ka thënë ai.

Edhe për fshatin Mirushë, ku sa herë ka reshje të mëdha atmosferike bllokohet rruga mbi urën që çon për në Gurbardh, ka thënë se po mendohet të ndërtohet një urë e mirëfilltë në vend të vendkalimit të tashëm që do ta zgjidhte problemin. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›