Përmbytjet dëmtojnë Xhaminë e rrallë të Plumbit
Xhamia e Plumbit, një prej veprave më të rëndësishme kulturore në Shkodër, e ndërtuar në vitin 1773, është së fundmi e mbuluar nga uji. Sipas drejtorisë së Trashëgimisë Kombëtare në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, këto ky objekt është pjesërisht i përmbytur në ujë. Përkohësisht mbi to nuk mund të merret asnjë veprim, por siç shprehen specialistë të kësaj drejtorie, menjëherë pas përmirësimit të situatës, ky objekt do t`i nënshtrohen restaurimit.Pas evidentimit të dëmtimeve që kanë pësuar objektet kulturore, Drejtoria e Trashëgimisë Kombëtare, së bashku me Institutin e Monumenteve të Kulturës, do të hartojnë projektet restauruese edhe të objekteve të tjera. Xhamia e Plumbit është një ndër veprat e shumta të ndërtuara në Shkodër nga trashëgimtarët e njëpasnjëshëm e sundimtarë të mëdhenj siç ishin Bushatllinjtë. Ky objekt i vyer i historisë së kombit tonë njeh si datë të ndërtimit vitin 1773. Ajo çka dallohet në jetën e kësaj xhamie është historia e dhimbshme e kubeve prej plumbi, të cilat, më se një herë u bënë objekte vjedhjesh e grabitjesh. Krahas kësaj, ky institucion i rrallë kulti tipik i stilit turko- arab, është tregues i një stadi të lartë mirëqënieje të lagjes së vjetër Tabakë në gjysmën e dytë të shekullit të 18 dhe gjatë shekullit të kaluar. Gjatë historisë së vet shumëvjeçare, xhamia e Plumbit është bërë pre vjedhjes së individëve të ndryshëm, të cilët, për arsye tregtie, hoqën shtresat e konsiderueshme të plumbit nga kupolat e xhamisë. Madje dhe në vitin 1913 ushtria e Vjenës e gjeti Xhaminë e Plumbit me disa shtresa plumbi, dhe e vazhdoi edhe më tej shkretimin e objektit, duke i hequr dhe mbetjet e fundit. Por gjatë të gjithë kësaj kohe ajo që kanë vërejtur qytetarët shkodranë ka qënë fundosja e xhamisë, e cila, sipas tyre ka ardhur si pasojë e zhytjes së ndërtesës në thellësi, shkaktuar nga paqëndrueshmëria e shtresave të dobëta me përbërje kryesisht gëlqerore. Ky pozicion i saj ka shkaktuar përmbytje të pjesshme dhe herë të tjera. Ajo që bie në sy në historinë e Xhamisë së Plumbi është fakti se ajo ka qënë ndër të paktat objekte fetare, e cila nuk iu nënshtrua shkatërrimit të ateizmit komunist.