Përmbytjet dhe lajmet e thata
Pasi komunikova me një nga ministrat e qeverisë për ta ftuar në edicionin e lajmeve, që të fliste për situatën e rëndë të përmbytjeve, më merr në punë sekondash aq sa mesazhi kish bërë udhën në telefonin e tij, një nga drejtuesit e zyrës së shtypit të ministrisë përkatëse. Edhe ai mik me mua, ashtu si unë shpresoja në dashamirësinë e eprorit të tij ministër, në një njohje miqësore me të, duke qeshur më thotë që duhet të merrja atë më parë. Se duke qeshur, shton nuk mund ta kapësh veshin e majtë me dorën e djathtë dhe një tjetër recetë popullore të sjelljes me pushtetin që unë e kapërceva si shaka të mendjes së zgjuar. E mirëkuptova me të drejtë ish-kolegun zyrtar, ndonëse si drejtues informacioni edhe mund të komunikoja drejtpërdrejt me shefin e tij, ashtu si me jo pak ministra, që për arsye pune flasim pa shumë burokracira të vjetra në teknologjinë e re të informacionit dhe marrim përgjigje në varësi të asaj çfarë pyesim e pretendojmë gjithnjë në shërbim të lajmit. Nuk po e ofroj si rast të indiferencës së zyrtarëve të vjetër e të rinj karshi meje, sesa si ngarkesë pune që ata më tepër e ndajnë vetë se ku dhe si do ta përcjellin sa më plotësisht për teleshikues apo lexues lajmesh në këtë situatë të rëndë për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë. Nuk gjykoj se vetëm shfaqja në Lezhë, Shkodër, apo në fshatrat e shumtë që janë mbushur me ujë, aty ku lezhjanë e shkodranë kanë lënë banesat dhe atë që kishin dikur si pasuri bujqësore të vënë në udhë të mbarë dhe janë detyruar të gjenden diku tjetër për arsye jete, mjafton si përmbushje detyre. Nuk kam aspak besim se ata mendojnë ndryshe nga unë dhe janë më pak të shqetësuar, pasi e gjithë qeveria me Kryeministrin në krye është në zonat e përmbytura nga reshjet e shumta, duke ofruar në çdo orë ndihmë në ushqime, veshje, strehim, por dhe në një garanci e siguri, që shteti dhe institucionet përgjegjëse janë prezent pa munguar aspak. Kjo duhet uruar si ngjarje e mirë që nuk lë vend aspak për braktisje. E këtë ne së bashku e mësojmë, e themi, që nesër, apo në orë të pandërprera ta marrin vesh të gjithë. Së paku çmoj se informacioni edhe nga terreni ka qenë herë pas here duke sjellë ndodhitë menjëherë sa ndodhnin. Policia dhe ushtria, e sidomos kjo e fundit që ka trupa e mjete më të specializuara për raste të tilla, kanë bërë të pamundurën duke qëndruar në gadishmëri maksimale për çdo të papritur. Berisha e ka “zhvendosur” qeverinë sa në Lezhë, sa në Shkodër, duke lajmëruar drejtpërdrejt se jemi buzë një katastrofe, kjo në tërësi për arsye natyrore, pasi deti dhe qielli kanë vërshuar me ujë duke rrezikuar gjithnjë e më shumë dhe duke vënë në provë e alarm gjithë ministritë që janë më afër shërbimit mbrojtës. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjendet në zonën e dëmtuar bashkë me deputetë të tjerë, duke ofruar sigurinë e dëmshpërblimit, por duke kërkuar dhe bashkëpunim te banorët që të braktisin banesat që të mos ndodhë asgjë me rrezik për jetën për qytetarët. Kreu i ekzekutivit tha se “është e domosdoshme që të identifikohet çdo sipërfaqe e mbjellë dhe KESH-i është i detyruar të zhdëmtojë, por kjo kërkon kushtin e vlerësimit të ndershëm dhe objektiv. Nëse toka është e mbjellë me grurë, apo diçka tjetër, KESH-i do t’i përgjigjet dhe është i detyruar t’i përgjigjet, vetëm se me lutjen që kjo të bëhet në mënyrën më objektive. Kështu është rregulli”. Kjo ka qenë garancia e Berishës që nuk ka përse të vihet në dyshim, pasi është thjesht çështje ditësh për t’u mbajtur si premtim me kalimin e situatës emergjente të këtyre ditëve që ka vetëm reshje dhe batica që kanë shtuar jo pak dëmet. Ajo që mund të bëhet nga njerëzit në terren është tej mundësive dhe ushtria e policia kanë punuar në kushte të rënda dhe kanë treguar modelin e sakrificës. Por në gjithë këtë mundësi, ajo që më bën të kthehem sërish në krye të shkrimit është disi distanca mes njerëzve të tharë, pra të palagur të institucioneve, karshi atyre që u ka hyrë uji në palcë në terren. Kjo tek-tuk në punën tonë haset në përballjen për të pasur sa më tepër mundësi që informacioni, lajmi, siguria, garancia, të vijë nga sa më shumë zëra, qofshin ministra pjesëtarë të Shtabit të Emergjencës ose jo, ministra apo ish-ministra, deputetë, apo ish-deputetë, duke braktisur nganjëherë dhe burokracinë që të falë karrigia në një zyrë rrotull bulevardit qendror në kryeqytet. Pak lagështirë nganjëherë bën mirë dhe pastaj gjendet nga të gjithë ne gazetarët që jemi në zyra shtypi, apo gazeta e televizione se nga cila ana shkohet për të kapur veshin, mjaft që të mos e tërheqim aq sa të na dhembë e skuqet njëherësh. Kjo kur na japin lajme të thata në këtë kohë përmbytjeje tmerrësisht të lagësht.