E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesa/Prokurori: Loshaj të pyetet në Holandë, Shehu në Itali

Gjyqtarët që gjykojnë rrëmbimin e biznesmenit shqiptaro-maqedonas nuk do të zëvendësohen dhe do të jenë të njëjtët që do vijojnë gjykimin e të pandehurve të akuzuar për këtë vepër penale. Vendimi u shpall nga Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila vendosi të rrëzojë kërkesën e avokatëve mbrojtës të Ilir Kumbaros për përjashtimin e trupit gjykues me kryesues Xhelal Elezin. Avokati Bledar Fejzo e arsyetoi kërkesën e tij të bazuar në ligj, pasi sipas ligjit, kryesuesi i trupit gjykues kishte dhënë një seancë më parë masën e sigurisë “arrest në burg” për Kumbaron dhe për këtë arsye nuk mund të vazhdonte të gjykonte sërish këtë çështje. Gjithashtu, në seancën e djeshme, prokurori Xhevat Hana kërkoi të revokohej nga gjykata vendimi për të marrë në pyetje përmes letër-porosisë një nga të rrëmbyerit e SHIK-ut në atë kohë, Avdyl Loshaj. Prokurori i kërkoi gjykatës që pyetja e Loshajt të bëhej drejtpërdrejt nga gjykata, prokurori dhe avokatët mbrojtës në Holandë, duke shkuar vetë atje për të dëgjuar dëshminë e tij. Kjo procedurë, ajo e marrjes në pyetje përmes letër-porosisë u vendos muaj më parë nga gjykata për arsye sigurie. Por, kjo nuk ka qenë e vetmja kërkesë e organit të akuzës për trupën gjyqësore. Prokurori Hana kërkoi të merret në pyetje në Itali ish-oficeri i SHIK-ut, Riza Shehu, i kërkuar prej muajsh, pasi kanë sinjalizime se ai jeton në shtetin fqinj. Për të dyja këto kërkesa, gjykata do të shprehet në seancën e radhës. Të pandehurit e këtij procesi janë Arben Sefgjini, Avni Koldashi, Ilir Kumbaro dhe Budion Meçe. Ata akuzohen për “rrëmbimin me pasoja të rënda” dhe “torturimin” e Remzi Hoxhës, Ziso Kristopullin dhe Avdyl Loshajn.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›