Përmbytjet në Durrës, Vengu: 800 banesa me prezencë uji, Sako: Ka filluar evidentimi dhe vlerësimi i dëmeve

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu dhe kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako kanë shpjeguar situatën ku ndodhet qyteti i Durrësit pas reshjeve të shumta të shiut që shkaktuan edhe përmbytje.
Duke folur në një prononcim për mediat pas mbledhjes së shtabit të emergjencave, Vengu tha se ka “probleme në Kenetë, Shkozet dhe në zonën e Ish-Tullës”.
Ai vuri në dukje se janë “800 banesa me prezencë uji. Janë evakuuar 180 banorë në 2 konvikte dhe aty do të marrin trajtimin e duhur. Kemi nën kujdes dhe monitorim lumin Erzen”
Vengu shpjegoi më tej se hidrovori është në funksion të plotë dhe se shkarkimet në hidrocentrale po bëhen në mënyrë të kontrolluar.
“Hidrovori është në funksion të plotë dhe punon normalisht. 37 kabina elektrike janë çaktivizuar nga OSHEE për arsye sigurie.
Nuk jemi akoma jashtë rrezikut. Në Durrës ka rënë sot një sasi prej 110 mm shi, sasi mjaft e madhe. Shkarkimet nga hidrocentralet po bëhen në mënyrë të kontrolluar”, tha Vengu.
Nga ana e saj, kryebashkiakja Emirano Sako tha se ka filluar evidentimi dhe vlerësimi i dëmeve, ndërsa shtoi se të gjithë banorët do të dëmshpërblehen.
“Në Radë dhe Spitallë kemi aktivizuar shkarkuesit katastrofikë në këta dy rezervuarë sepse janë tejmbushur. Ka filluar evidentimi dhe vlerësimi i dëmeve dhe të gjithë banorët do të dëmshpërblehen. Zonat që përmbyten janë po të njëjtat: Durrësi i Ri, që ka nevojë për rrjet të ri kanalizimesh, si dhe disa rrugë të tjera. Po bëjmë projektet bashkë me Ujësjellësin dhe do të kërkojmë financimin që nevojitet”, deklaroi Sako.
/rtsh.al/