E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet në Shkodër, nis puna në argjinaturat e lumenjve

Zonë e përmbytur në Shkodër

SHKODER – Specialistët e Bordit të Kullimit kanë nisur punën në argjinaturat e Shkodrës me qëllim që të mos përsëritet më përmbytja e viteve të shkuara. Zona e Nënshkodrës, argjinatura e lumit Kir në qytetin e Shkodrës si dhe zona malore e Vermoshit janë tri drejtimet kryesore ku është përqendruar puna. Kemi nisur punën me argjinaturat me qëllim që të mos përballemi me situatën e një viti më parë. Kështu u shpreh Rudolf Rasha, drejtori i Bordit të Kullimit. Tashmë të gjitha strukturat kanë nisur më parë se herët e tjera investimet në projektet që lidhen me argjinaturat apo kanalet kulluese. Një vit më parë këto investime nisën vonë dhe si rezultat, në periudhat e shirave të vjeshtës ato mbetën përgjysmë. Madje, në disa raste kanë shkuar dëm investimit. Mësimi i marrë vjeshtën e shkuar bëri që me fillimin e verës të nisin dhe investimet. Me fillimin e stinës së nxehtë, Bordi i Kullimit ka filluar nga puna për pastrimin e kanaleve kulluese dhe për rehabilitimin e argjinaturave të dëmtuara në qarkun e Shkodrës, u shpreh Rasha. Sipas tij, zonat ku do të kryhet ndërhyrja është ajo e Nënshkodrës, Kiri, si dhe zona malore e Vermoshit. Ai theksoi gjithashtu se deri në fund të shtatorit të këtij viti do të përfundojë rikonstruksioni i të gjitha argjinaturave të dëmtuara nga përmbytjet e vitit të kaluar, ose të parashikuara për tu forcuar në qarkun e Shkodrës. Mësohet se pak ditë më parë, Bordi i Kullimit ka bërë bilancin e punës në një mbledhje. Sipas të dhënave, deri në fund të qershorit janë kryer gërmime në 55 mijë m3 kanale kulluese, nga 440 mijë m3 që janë në total. Ndërkohë që paralel me pastrimin dhe gërmimin e këtyre kanaleve puna është e përqendruar edhe në rehabilitimin e disa segmenteve të argjinaturave të dëmtuara gjatë përmbytjeve të vitit të kaluar. Kemi identifikuar pikat më problematike. Kështu, në zonën e Nënshkodrës po ndërhyhet në lumin Buna, në komunën e Dajçit dhe në zonën e Velipojës, u shpreh kreu i Bordit të Kullimit.    r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›