E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Përmbytjet në Slloveni/ Maqedonia e Veriut ndihmon me 100 ushtarë

Maqedonia e Veriut ka vendosur të dërgojë 100 ushtarë për të ndihmuar Slloveninë pas përmbytjeve tragjike të një jave më parë.

Pjesëtarët e armatës maqedonase do t’u shërbejnë autoriteteve sllovene për një afat 30-ditor, me kërkesë të NATO-s.

Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, ka thënë se kërkesa ishte për 200 ushtarë.

Pas mbledhjes së ditës, qeveria maqedonase u shpreh se vazhdon të jetë në dispozicion për misione humanitare në zonat e prekura nga fatkeqësitë natyrore dhe katastrofat.

Maqedonia e Veriut i bashkohet disa vendeve europiane që po e ndihmojnë Slloveninë të kapërcejë fatkeqësinë e fundit.

Apelit i është përgjigjur edhe NATO-ja e BE-ja.

Prej ditës së premte janë raportuar gjashtë viktima nga përmbytjet dhe mijëra persona janë evakuar nga zonat qendra dhe veriperëndimi i vendit.

Kryediplomatja sllovene, Tanja Fajon, ka thënë se dëmet në infrastrukturë llogariten disa miliardë dollarë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›