Përmet – Banjat termale të Bënjës tërheqin vizitorë me bukurinë dhe vlerat kurative

Të huajt zgjedhin të eksplorojnë zonën e Përmetit përmes guidave turistike, duke zbuluar bukuritë natyrore dhe kulturore që kjo zonë ofron. Një nga destinacionet më të kërkuara janë Banjat Termale të Bënjës, të cilat të mahnisin me peizazhin e tyre unik dhe ujërat squfurike me vlera kurative.
Të shoqëruar nga një guidë turistike, vizitorët jo vetëm që relaksohen në këto burime natyrore, por edhe mësojnë më shumë rreth historisë, traditave dhe veçorive të zonës.
“Njerëzit janë më shumë të interesuar te pjesa e raftingut, e dyta vjen Bënja, ka dhe opsione të tjera si hiking, horseriding, ngjitje në male”, deklaroi operatori i turizmit, Luka Grama.
Në një kohë kur turizmi natyror po merr gjithnjë e më shumë vëmendje, Përmeti mbetet një nga destinacionet më të veçanta në jug të vendit. Me resurset e tij unike dhe mikpritjen karakteristike, kjo zonë vijon të tërheqë vizitorë të huaj, duke u kthyer në një pikë referimi për turizmin e qëndrueshëm dhe përvojat autentike.
/RTSH/