Përmet, muzeu mes destinacioneve më të vizituara, turistët zgjedhin qytetin për vlerat kulturore

Përmeti nuk është më vetëm një destinacion për t’u shijuar për natyrën e tij. Qyteti po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë edhe për vlerat kulturore, ku një nga pikat më të frekuentuara është muzeu i qytetit. Interesi për të po rritet nga dita në ditë, duke e kthyer në një ndalesë të rëndësishme për këdo që viziton këtë zonë.
“Ka pasur tepër interes për të vizituar muzeun, qoftë ky interes si nga vizitorët e huaj ashtu edhe ata vendas, por gjithashtu edhe shkollat nuk mbeten në pas. ka pasur një rritje konkretisht me 50% në krahasim me vitin e kaluar. Pra, interesi normalisht ka qenë më i lartë”, u shpreh Thodhore Jorgji, cicerone.
Sipas cicerones Thodhore Jorgji, fluksi i vizitorëve në muze është i konsiderueshëm gjatë gjithë vitit. Ajo thekson se interesi nuk vjen vetëm nga turistët e huaj, por edhe nga vetë shqiptarët, ndërsa një pjesë e rëndësishme e vizitorëve janë nxënësit e shkollave, të cilët e vizitojnë muzeun në kuadër të aktiviteteve edukative.
“Për sa i përket shkollave janë të interesuara sipas edhe programeve mësimore që ata bëjnë. Nëse marrim rastin e 28-29 nëntorit, atëherë në këtë periudhë vizitohet pavioni i luftës. Atje ka gjëra mjaft interesante për sa i përket rreth historikut të partizanëve që kanë çuar edhe në çlirimin e vendit dhe konkretisht atë të Përmetit”, tha ajo.
Muzeu i Përmetit mbetet kështu një nga asetet kryesore kulturore të qytetit, duke kontribuar në pasurimin e ofertës turistike dhe në edukimin e brezave të rinj.
Gazetare Leonida Koçiu
/rtsh.al/