Përmet, nipi masakron hallën
Nipi rreh hallën derisa vdes. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje paradite në një fshat të rrethit të Përmetit, pas një zënke të çastit mes dy të sëmurëve mendorë. Burimet zyrtare të Komisariatit të Policisë Përmet bënë të ditur se rreth orës 09:30 të mëngjesit të djeshëm në sallën operative është njoftuar me telefon se në fshatin Vinokash 2 të Komunës Ballaban, Vladimir Ademi, 32 vjeç ka rrahur me grushte dhe shqelma duke e përplasur në dysheme hallën e tij (motrën e babait) Dashuri Hodobashi, 43 vjeçe. Si pasojë e plagëve të marra, 43-vjeçarja ka humbur jetën pas disa orësh në spitalin e Përmetit. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe mjeku ligjor dhe nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe trupit të viktimës ka rezultuar se shkaku i vdekjes ishte dhuna e ushtruar nga Vladimir Ademi. Viktima jetonte në një shtëpi me këtë shtetas. Ajo ka qenë e martuar në Berat, por i ka vdekur burri dhe së bashku me dy fëmijët e saj është rikthyer në shtëpinë e babait. Fëmijët, aktualisht, janë në shtëpinë e fëmijës në fshatin SOS, për arsye se kjo shtetase nuk i mbante dot, pasi vuante nga sëmundje mendore. Sipas policisë, edhe Vladimir Ademi vuante nga sëmundje mendore dhe kurohej, por ndryshe nga halla ai nuk ishte i regjistruar me kartelë. Ai e ka keqtrajtuar hallën e vet deri në vdekje për një konflikt të çastit. Nga familjarë dhe bashkëfshatarë të dy protagonistëve të ngjarjes së rëndë mësohet se Vladimir Ademi nuk e lejonte hallën e tij të dilte nga shtëpia, duke i thënë se "më ka thënë Allahu mos dil nga shtëpia etj." Policia tha se menjëherë pas kryerjes së krimit, 32-vjeçari Ademi është larguar nga banesa. Forcat e Policisë së Komisariatit të Policisë Përmet të mbështetura edhe nga efektivat e sektorit kundër krimeve të rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë bërë rrethimin e zonës dhe rreth orës 12:30 kanë munduar ta kapin atë në vendin e quajtur pylli i Ballabanit. Nga ana e specialistëve të sektorit kundër krimeve të rënda në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës është bërë arrestimi në flagrancë i Vladimir Ademit për veprën penale të "Plagosjes së rëndë me dashje, me pasojë vdekjen", parashikuar nga neni 88/2 i Kodit Penal dhe dosja në ngarkim të tij i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.