E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmet, policia private rimerr Pallatin e Kulturës

Në një aksion të realizuar në orët e para të mëngjesit të sotëm, policia private në Përmet ka arritur të marrë kontrollin godinën e Pallatit të Kulturës së këtij qyteti. Një ditë më parë rreth 40 besimtarë hynë me forcë në këtë objekt duke thyer dyer dhe dritare pasi sulmuan rojet private që ruanin godinën. Si pasojë e konfrontimit fizik kanë mbetur të lënduar përfaqësues të të dy palëve.

Rreth orës 11:00, dy autobusë me besimtarë dhe priftërinj ortodoksë nga qarku i Gjirokastrës kanë zbritur në Përmet dhe i janë drejtuar Shtëpisë së Kulturës për ta rimarrë, ndërsa me ta u bashkuan edhe besimtarët nga Përmeti që qëndronin para godinës.

Tentativa për të hyrë në ambjentet e pallatit të kulturës, u shoqërua me konfrontimin fizik mes palëve, ndërsa një prej policëve privatë kanë hedhur sprajt me gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve. Si pasojë e situatës së krijuar ka ndërhyrë edhe policia e shtetit.

Në lidhje me përplasjen, nën/kryetari i bashkisë së Përmetit, Vasil Pano, ka deklaruar se priftërinjtë ortodoksë kërkuan takim për të tërhequr disa materiale prej ndërtesës dhe ndërsa zhvillohej takimi në Bashki, vetëm 100 m larg, besimtarët sulmuan Pallatin e Kulturës, çka duket se gjithçka ka qenë e planifikuar mirë.

Ndërkohë Athina ka reaguar sërish në lidhje me konfliktin për Kishën e Përmetit. Në një njoftim në faqen zyrtare të Ministrisë së jashtme helene theksohet se është thirrur menjëherë pas sqarime, ambasadori shqiptar në Athinë, Dashnor Dervishi, për ti paraqitur këtij të fundit një notë proteste. Në deklaratën për shtyp, Ministria dënon aktin e dhunës ndaj një qytetari grek dhe një minoritari të ndodhura në Përmet gjatë të martës, ndërsa thuhet se konsulllata greke në Gjirokastër është goditur me gurë.

Ministria e jashtme greke kërkon arrestimin e menjëhershëm të autorëve dhe i bën thirrje qeverisë shqiptare të marrë masa të menjëhershme për normalizimin e situatës përsa i përket konfliktit në Përmet.

Më 16 Gusht, Zyra e Përmbarimit me mbështetjen e policisë private ekzekutoi vendimin e Gjykatës për kthimin e Pallatit të Kulturës, Bashkisë së Përmetit. Kjo shkaktoi një përplasje mes priftërinjve dhe policisë, që mbështeti zyrën e Përmbarimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›