E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmetaret “përveshin mëngët” për glikotë, sezon i mbarë me prodhim të bollshëm frutash

Ky sezon po rezulton i mbarë për prodhuesit e glikosë në qytetin e Përmetit. Prodhimi i bollshëm i frutave, si qershitë, kajsitë, arrat dhe varietete të tjera karakteristike të zonës, ka siguruar lëndën e parë për përgatitjen e një prej produkteve më të njohura të traditës përmetare.

Mes artizanëve që e kanë ruajtur këtë traditë ndër vite është edhe Eftali Qerimi. Prej katër dekadash ajo merret me përgatitjen e glikosë sipas recetave tradicionale, duke e kthyer këtë zanat në një aktivitet familjar që tërheq çdo vit interesin e vizitorëve dhe konsumatorëve.

“Ky sezon ishte sezon i mbarë. E filluam me petalet e trëndafilit, me ujin e trëndafilit, me lëngun e trëndafilit. Ne trëndafilin e bëjmë, domethënë ka një proces të gjatë që bëhet për llokumet e bajameve në muajin maj. Pastaj vazhduam me fikun e egër që e mbledhim anës lumit, ai lum aq i egër. Por për ne prodhuesit, aq i mirë dhe për të gjitha misrat përmetare. Pastaj vazhduam me qershinë. Glikon e bardhë për gliko, glikon e kuqe për qershinë e kuqe për reçel. Vazhduam me mbretin e glikove, që është glikoja e arrës”, tha ajo.

Përveç prodhimit të mirë të frutave, këtë sezon një tjetër lehtësi për punishten ka qenë edhe sigurimi i fuqisë punëtore. Sipas Eftali Qerimit, ndryshe nga vitet e kaluara, këtë herë ka arritur të gjejë punonjësit e nevojshëm për të përballuar ritmin e punës gjatë sezonit të verës, kur kërkesa për gliko rritet ndjeshëm.

Glikoja mbetet një nga produktet më të spikatura të kulinarisë tradicionale përmetare.

Gazetare: L. Koçiu

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›