E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacioni “July”/ 6 vjedhje brenda 10 ditësh, policia prangos 44-vjeçarin në Durrës

Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “July”, duke zbardhur gjashtë raste vjedhjesh dhe tentativash për vjedhje të kryera gjatë muajit korrik 2026.

Si rezultat i hetimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, është identifikuar dhe arrestuar autori i dyshuar i këtyre ngjarjeve, shtetasi I. D., 44 vjeç, banues në Durrës.

Sipas policisë, nga hetimet dyshohet se 44-vjeçari ka kryer disa vjedhje gjatë periudhës 14-24 korrik 2026. Ai dyshohet se ka vjedhur një motoçikletë, një çantë me sende personale dhe një portofol, si dhe ka marrë para dhe materiale nga dy subjekte të ndryshme.

Gjithashtu, hetuesit dyshojnë se ai ka tentuar të vjedhë edhe në një banesë.

Policia bën me dije se vijon puna për dokumentimin e rasteve të tjera të mundshme ku mund të jetë përfshirë i arrestuari.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›