Përmirësohet situata nga zjarret në bashkitë Dropull dhe Finiq

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Situata e krijuar nga zjarret në bashkitë Dropull dhe Finiq ka përmirësim të dukshëm.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh sot se, forcat zjarrfikëse, efektivë të FA, me ndihmën edhe të helikopterit po vijojnë punën mbi fshatin Sofratikë, në Dropull.
Në fshatin Kardhikaq, njësia administrative Mesopotam, zjarri është në kontroll, duke mos paraqitur rrezik për banesat, theksoi ministri.
Peleshi falënderoi dhe shprehu mirënjohje për forcat e emergjencave civile që janë duke punuar që prej mbrëmjes së djeshme pa ndërprerje.
Ministri shprehu vlerësim për aktivizimin dhe bashkëpunimin e punonjësve të pushtetit vendor dhe banorët e zonës.
Edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla reagoi për situatën e zjarrit në Dropull.
Balla bëri të ditur se, Shërbimet Zjarrfikëse dhe Forcat e Armatosura po vijojnë përpjekjet nga toka dhe ajri për vendosjen nën kontroll të zjarrit, i cili shtrihet në një sipërfaqe të madhe.
/r.e/