Përpjekjet për ç’tensionimin e situatës me Serbinë, Lajçak takohet sot me Osmanin dhe Kurtin
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak do të vizitojë këtë të martë (4 korrik) Kosovën, në përpjekje për të ç’tensionuar situatën mes Prishtinës e Beogradit.
Në orën 15:00 Lajçak do të pritet në një takim nga Presidentja Vjosa Osmani e gjithashtu do të takohet edhe me Kryeministrin Albin Kurti.
Vizita e Lajçak në Kosovë, është e dyta brenda një muaji, pasi kujtojmë se më 5 qershor i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, së bashku me të dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar udhëtuan drejt Kosovës ku u takuan me Kryeministrin Albin Kurti dhe ku i prezantuan propozimin në emër të komunitetit ndërkombëtar që përmbante tre elementë, të cilët konsistonin në zhvillimet e fundit në veri, ide për de-eskalimin e situatës dhe urgjencës për zbatim të Marrëveshjes Prishtinë-Beograd.
Pas vizitës në Kosovë, Lajçak pritet të udhëtojë edhe drejt Beogradit, ku pritet gjithashtu të takohet me Presidentin Aleksandër Vuçiç.
Kujtojmë se tensionet mes Kosovës e Serbisë u rritën edhe më shumë më 26 maj, me zgjedhjen e 4 kryetarëve të komunave në Veri, Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit.
Serbët lokalë u ngritën në protesta duke kundërshtuar zgjedhjen e tyre dhe ushtrimin detyrës nga objektet komunale. Protestat u përshkallëzuan, pasi serbët lokalë goditën dhe plagosën pjestarët e KFOR-it.
/rtsh.al/