Përplasen tre makina në superstradën Lezhë-Milot, tre të plagosur. Vështirësohet lëvizja

Një aksident i trefishtë ka ndodhur mesditën e sotme në superstradën Lezhë-Milot, pranë mbikalimit të Ishull-Lezhës. Tre automjete, mes të cilave edhe një furgon mallrash, janë përplasur me njëra-tjetrën e për pasojë tre persona kanë mbetur të plagosur.
Të lënduarit janë transportuar me urgjencë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore raportohet jashtë rrezikut për jetën.
Si pasojë e aksidentit, qarkullimi i mjeteve është rënduar ndjeshëm në të dyja kahet e superstradës, duke krijuar radhë të gjata automjetesh. Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit dhe normalizimin e trafikut.