E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita rikthehet te Territorialja pas muajsh bojkot/ Boçi: “Duhet të kemi një produkt të përbashkët”. Mazniku: Në të mirë të vendit ta kalonim bashkërisht

Është mbledhur këtë të mërkurë (11 shkurt) Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Territoriale, me pjesëmarrjen edhe të deputetëve të opozitës, të cilët prej disa muajsh kishin bojkotuar punimet e këtij komisioni.

Rikthimi i opozitës në tryezën e diskutimeve vjen në një moment tensionesh të larta politike mes mazhorancës dhe opozitës në Kuvend.

Në fjalën e tij, bashkëkryetari i komisionit nga opozita, Luçiano Boçi, u shpreh se situata në Parlament mbetet e tensionuar për shkak të, sipas tij, mënyrës së sjelljes së mazhorancës ndaj opozitës. “Duhet të jemi të bindur që nuk ka një paracaktim të produktit të këtij komisioni. Të mos bëjmë rolin e atij që mbyll sytë dhe veshët. Marrëdhëniet në Parlament mes opozitës dhe mazhorancës janë të tensionuara për shkak të mënyrës së sjelljes së mazhorancës, e cila ka tentuar përgjatë gjithë kësaj kohe kufizimin e jetës parlamentare të opozitës dhe të drejtave të saj. Nëse nuk ka produkt konsensual, atëherë është mungesë e gatishmërisë për të pranuar variantet, kjo është kërkesa ime. Nëse rruga jonë kalon pjesërisht nëpërmjet konsensusit, për raporte apo vendime të caktuara dhe në fund fare del me variant të personalizuar politik, atëherë çfarë kuptimi ka komisioni?! Ne duhet të kemi një produkt të përbashkët”, deklaroi Boçi.

Ai theksoi se, sipas opozitës, prej kohësh Kuvendi nuk miraton komisione hetimore, nuk zhvillon mocione me debat dhe shmang interpelancat, duke shtuar se është bllokuar edhe Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve.

Boçi u ndal edhe te konteksti politik, duke kujtuar protestën e fundit të opozitës dhe duke e lidhur atë me mënyrën, sipas tij, se si funksionon Parlamenti dhe si trajtohen çështjet që lidhen me ligjin, drejtësinë dhe detyrimet ndaj qytetarëve.

Nga ana e tij, bashkëkryetari socialist i këtij komisioni, Arbjan Mazniku deklaroi se kalimi i kësaj reforme në Kuvend me unanimitet, do ishte zgjidhja ideale.

“Kjo reformë të kalojë me unanimitet në Kuvend, do ishte zgjidhja ideale. Unë besoj se ka prova të dhëna nga ana e mazhorancës për mirëbesim për një proces të tillë. Do ishte në të mirë të vendit dhe e shëndetshme nëse ja dalim që kjo reformë të kalojë bashkërisht”, deklaroi Mazniku.

Megjithatë, rikthimi i opozitës në komision ka sjellë një zhvillim procedural, mazhoranca socialiste është tërhequr nga kërkesa për ndryshimin e formulës së përfaqësimit dhe bashkëkryesimit, një lëvizje që synon zhbllokimin e punimeve dhe vijimin normal të diskutimeve për reformën territoriale.

Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale ka si qëllim rishikimin e ndarjes aktuale administrative dhe adresimin e problematikave të evidentuara në funksionimin e njësive vendore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›