Përplasja me agjentët e BKH në Fier – Policia arreston 3 persona, 2 prej tyre nipat e ish-kryebashkiakut

Janë arrestuar nga Policia e Fierit tre personat e përfshirë në konfliktin fizik me agjentët e BKH-së. Sipas policisë, bëhet me dije se pak orë pas përplasjes fizike në Fier janë vënë në pranga Ledjan dhe Klaudio Kapllanaj, nipat e ish-kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj, si dhe Gerald Kollçaku.
Ende mbetet i paqartë shkaku i ngjarjes, por mbrëmjen e djeshme agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Forcave Operacionale raportohet se ngritën një dron në hyrje të qytetit të Fierit, që shkoi pranë biznesit të ndërtuesit Shkëlqim Kapllanaj dhe vëllait të tij Agron Kapllanaj. Pas ngritjes së dronit, punonjësit e biznesit të ndërtimit dhe të afërm të Kapllanajve nisën debatin me zyrtarët e BKH-së dhe Forcat Operacionale, i cili më pas agravoi dhe në konflikt fizik.
Në komisariat u shoqëruan pesë persona, ndërsa agjentët bënë kallëzim për sulm për shkak të detyrës.
Nga ana tjetër, sikurse është mësuar nga gazetarët e RTSH, Agron Kapllanaj, ka pretenduar se një makinë hyri në ambientet e fabrikës në tij dhe ngriti një dron. Kjo solli debatin me punonjësit, ndërsa agjentët u larguan më pas me mjetin e tyre, duke u ndjekur nga të afërm të ish-kryebashkiakut.
Më tej, Kapllanaj ka sqaruar se pak minuta më vonë kanë arritur që t’i ndalojnë dhe aty ka nisur një përplasje e dytë mes agjentëve të BKH dhe njerëzve të tij. Sipas ish-kryebashkiakut, agjentët e BKH-së në asnjë moment nuk janë identifikuar si të tillë.
Siç ka pohuar Kapllanaj, të afërmve të tij u janë nxjerrë armët në formë kërcënimi dhe vetëm pas këtij momenti u është thënë që kanë të bëjnë me agjentë të BKH-së.
/rtsh.al/