E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasja me policinë në Mamurras, burg dy të rinjve. 23-vjeçari do ekstradohet në Itali

28-vjeçari Amadeo Fufi, i cili u arrestua nga policia në Mamurras pasi shoqëronte një person në kërkim dhe tentoi të përplaste efektivët blu, do të qëndrojë në burg.

I riu u njoh me masën e sigurisë në Gjykatën e Lezhës. Pasi dëgjoi palët, gjyqtari Delvijot Lusha pranoi kërkesën e prokurorisë, duke e cilësuar të ligjshëm arrestimin e Amadeo Fufit dhe caktoi ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” si dhe “Kundërshtim i punonjësit të Policisë së Shtetit”.

Ndërsa 23-vjeçari Leonard Dema u njoh me masën e sigurisë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr mjekim pas plagosjes gjatë aksionit të policisë.

Gjykata vendosi që ai të qëndrojë në burg me qëllim ekstradimin drejt Italisë, pasi është dënuar nga Gjykata e Trentos për kryerjen e veprës penale “Tentativë vrasjeje”, të parashikuar nga legjislacioni penal italian.

Operacioni për kapjen e të kërkuarit për tentativë vrasjeje, në aksin Mamurras–Laç, u shoqërua me të shtëna dhe përfundoi me plagosjen e të riut.

Në shoqërinë e Amadeo Fufit, ata tentuan të largoheshin duke përplasur mjetin e tyre me makinën e patrullës së policisë, por efektivët arritën t’i neutralizonin dhe t’i prangosnin dy të rinjtë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›