Përplasja për çmimin e ilaçeve, farmacistët: Ja sa do të rriten
Kreu i QKB, Besnik Jakaj: Pulla e re nuk do të sjellë asnjë lloj ndryshimi në çmimin e barnave
Urdhri i Farmacistëve: Kostoja e pullës së re është 7 herë më e lartë se aktualja. Shtrenjtohen ilaçet e lira dhe alternativat e para të listës së rimbursimit të barnave
Vijon përplasja midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Urdhrit të Farmacistëve për rritjen e çmimit të ilaçeve nga vendosja e pullës së re fiskale. Kështu, ndërsa përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë deklarojnë se pulla e re nuk do t’i shtrenjtojë barnat, Urdhri i Farmacistëve shpjegon konkretisht se si do të bëhet rritja e çmimit. Kreu i Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, Besnik Jakaj deklaroi dje se pulla e re që do të vendoset në medikamente nuk do të sjellë asnjë lloj ndryshimi në çmimin e tyre, duke kundërshtuar deklaratat e Urdhrit të Farmacistëve për rritjen e çmimit të barnave me 20 për qind. Sipas kreut të QKB-së, vendosja e kësaj pulle nuk ka kosto që të ndikojë në rritjen e çmimit të barnave dhe qëllimi i saj është të vendosë më në kontroll tregun farmaceutik. “Bëhet fjalë të vendoset një pullë që do të jetë dyfishe, që ka një kosto shumë të vogël, por pak më të madhe se pulla aktuale, e cila nuk ka asnjë lloj ndikimi në çmimin e barnave, nuk bëhet fjalë për të pasur asnjë lloj ndikimi. Pulla dyfishe
është më e sigurt, më cilësore. Kemi pullën aktuale që ka një kosto dhe e paguan importuesi dhe prodhuesi, nuk ka lidhje me çmimin përfundimtar në shitje. Pulla e re që do të vendoset nuk do të sjellë asnjë lloj ndryshimi në çmimin e barnave. Nuk do të jetë pulla që do të kemi aktualisht, por do të jetë një pullë tjetër”, - u shpreh Besnik Jakaj.
Sipas tij, nuk ka pasur dhe nuk do të ketë rritje të çmimit të ilaçeve, por Urdhri i Farmacistëve kërkon të përhapë panik, pasi është kundër reformave të ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë në tregun farmaceutik.
Por pas kësaj deklarate ka reaguar Urdhri i Farmacistëve, duke shpjeguar pse çmimi i ilaçeve do të rritet me 20% nga vendosja e pullës së re fiskale. “Ne sot po shprehim para opinionit publik dhe një të vërtetë tjetër, rritjen e çmimit të barnave për vitin 2012, si pasojë e efektit të pullës fiskale, e cila do ta rrisë çmimin e barnave me 20%. Po e shpjegojmë konkretisht pse në total kjo rritje do shkojë në këto nivele. Ju bëjmë me dije se nga shkurti i vitit 2012, të gjitha barnat do të pajisen me një pullë fiskale, rasti unikal në botë për barnat, e cila ka kosto shtesë në çmimin e barnave. Kostoja e prodhimit të pullës fiskale për barnat do të jetë me çmim shtatë herë më të lartë se çmimi i pullës së sotme, kostoja e pullës së sotme është 0.7 lekë për copë, nesër do të jetë 4.9 lekë. Më pas shtohet këtu një element tjetër i rëndësishëm, kostoja e transportit të pullave. Mesatarisht në vit bëhen rreth 12 mijë zhdoganime dhe në një kontenier për zhdoganim ka barna nga disa kompani. Për çdonjërën prej tyre duhet të dërgohen zarfe kompanive përkatëse për pullat. Vetëm për një zarf të thjeshtë që do të sjellë pullat me DHL për çdo radhë që ka import dhe zhdoganim, nga kompania prodhuese e caktuar nga qeveria shqiptare, tek importuesi i barnave në Shqipëri, një importues do të paguajë mesatarisht 40 euro për një zarf të thjeshtë. Duke i shtuar kësaj vlere dhe peshën e pullave, kostoja mesatare e një zarfi do të shkojë rreth 110 euro ose 15 mijë lekë. Kostoja totale e një pulle do të jetë mbi 10 lekë për copë, pra 93% më e lartë se pulla e sotme. Kjo kosto e tepërt do të rrisë në mënyrë të dukshme çmimet e barnave më të lira ose alternativat e para të listës së rimbursimit të barnave. P.sh. Atenololi 100 mg. Kutia me 30 tableta sot kushton 78 lekë, duke shtuar vlerën e pullës 10 lekë, çmimi i barit në pullën e re do të jetë 88 lekë. Pra, rritja e çmimit do të jetë 12.8%. Alternativat e para të listës së rimbursimit të cilat i përfitojnë shtresat në nevojë kanë çmime mesatarisht deri në 300 lekë për kuti. Po t’i shtojmë dhe 10 lekë koston e pullës fiskale, çmimi i një kutie shkon 310 lekë, ose 3.5% më i lartë (vlera e TVSH 14% + 3.5% pulla fiskale = 17.5%). Elementi i tretë që rrit çmimin e barit është kursi i këmbimit të euros, i cili bazuar në vendimin e qeverisë për vitin 2012 do të jetë 140.1, nga 137.6 që është sot, pra diferenca do të jetë 2.5% (140.1- 137.6=2.5). Përfundimisht totali i rritjes së çmimit të barnave pas vendosjes së pullës fiskale do të jetë 20% më i lartë së para aplikimit të TVSH”, - shpjegohet në deklaratën e Urdhrit të Farmacistëve. Aktualisht kompania koncesionare ka nisur prodhimin e pullave të reja për medikamentet, ndërkohë që vendimi për kohën e aplikimit të saj do të merret nga qeveria.