I penduari Coli: Provat që tregojnë se kam qenë i arratisur jashtë shtetit
Adriatik Coli ka lexuar para gjykatës mbrojtjen e tij, duke thënë se dëshmia për bandën e Durrësit është tërësisht e vërtetë. Ironizohet nga anëtarët e bandës
Tiranë Adriatik Coli, i penduari i bandës së Durrësit ka rikonfirmuar dje në sallën e gjyqit se dëshmia e tij është tërësisht e vërtetë. Duke e konsideruar bashkëpunimin me drejtësinë si mbrojtjen më të mirë që i ka bërë vetes, në konkluzionet përfundimtare Coli ka deklaruar se u kërkon ndjesë familjarëve për atë që ka ndodhur, si dhe ka ripohuar se detajet që ai ka dhënë për ngjarjet janë të vërteta. Me anë të një deklarate të shkurtër, të lexuar para gjykatës, i penduari për të cilin prokuroria kërkoi një masë më të butë dënimi, ka thënë se nuk ka kërkuar avokat mbrojtës, pasi sipas tij, rrëfimi që ka dhënë dhe bashkëpunimi me drejtësinë dhe ligjin është mbrojtja më e mirë që ai mund të ketë. Deklarata e Colit nuk ka kaluar pa batuta dhe ndërhyrje nga të pandehurit, kryesisht nga Endrit Dokle, avokati i të cilit gjithashtu ka dhënë dje para gjykatës konkluzionet përfundimtare në mbrojtje të klientit të tij. Në nisje të deklaratës, të pandehurit që ndodhen brenda kafazit të hekurt kanë ironizuar dhe shpotitur Adriatik Colin, duke e paraqitur atë si një këngëtar që do performonte në sallën e gjyqit. “Nuk kam kërkuar avokat mbrojtës në këtë proces, pasi kam gjykuar që të folurit drejt dhe qenia me drejtësinë dhe ligjin është mbrojtja më e mirë që unë mund të kem”, - e ka nisur deklaratën e tij në konkluzionet përfundimtare mbrojtëse i penduari Adriatik Coli, i cili mbahet veçmas të pandehurve të tjerë të këtij procesi. Më tej Coli ka rikonfirmuar se gjithë dëshmia që ai ka dhënë në prokurori dhe para gjykatës është tërësisht e vërtetë. “Të gjitha deklaratat e mia janë për ngjarjet që kanë ndodhur në vitet 1998-2005 dhe janë të gjitha të vërteta”,- është shprehur në deklaratë Coli. Gjatë fjalës së tij para trupit gjykues, i penduari Adriatik Coli ka kontestuar argumentet e paraqitura më parë nga avokatët e të pandehurve të tjerë për mënyrën e dorëzimit të tij në polici. Ai ka thënë se para dorëzimit ka qenë jashtë Shqipërisë dhe kjo mund të konfirmohet nga gjurmët e gishtave dhe fotografitë që i janë bërë në të paktën dy shtete. “Është e vërtetë që unë jam ndaluar dhe kapur jashtë shtetit, pasi janë fotot dhe shenjat e gishtave që kam lënë kur më kanë kapur në Slloveni dhe në Austri”, - është shprehur Adriatik Coli, duke përfunduar me shprehjen: “Zoti ju bekoftë”. Pikërisht në këtë moment, në sallën e gjyqit është ndërprerë energjia elektrike, por me ndërhyrjen e punonjësve të gjykatës ajo është rikthyer brenda pak kohësh. Deklarata e Adriatik Colit gjatë seancës së djeshme pasoi konkluzionet përfundimtare të parashtruara nga avokati mbrojtës i të pandehurit Endrit Dokle. Procesi gjyqësor ndaj 16 të akuzuarve si pjesë e “Bandës së Durrësit” tashmë po shkon drejt fundit, ndërsa gjykata pritet të dëgjojë në seancat e ardhshme mbrojtjen e disa prej të pandehurve, të cilët nuk kanë dhënë ende argumentet e tyre për akuzat e ngritura nga prokuroria. Deri tani, pjesa më e madhe e të pandehurve kanë deklaruar para gjykatës se dëshmia e Adriatik Colit është e sajuar dhe si e tillë nuk duhet të merret për bazë nga trupi gjykues. Gjithashtu, avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar akuzat duke kërkuar pafajësi për klientët e tyre, duke tentuar të argumentojnë se prokuroria nuk ka prova që vërtetojnë akuzat e ngritura ndaj të pandehurve. Pak kohë më parë, dy përfaqësuesit e akuzës kërkuan nga gjykata të dënojë me burgim të përjetshëm të pandehurit kryesorë të këtij procesi. 16 të pandehurit akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për një sërë ngjarjesh kriminale të ndodhura në qytetin e Durrësit dhe Tiranës, të cilat dyshohet se mbajnë autorësinë e të arrestuarve.
Dokle: Procesi, i montuar për qëllime politike
Tiranë Avokati mbrojtës i të pandehurit Endrit Dokle, ka kërkuar dje nga gjykata të rrëzojë akuzat e prokurorisë, pasi nuk ka prova që vërtetojnë fajësinë e klientit në ngjarjet për të cilat akuzohet. Mbrojtësi i Dokles e ka cilësuar këtë proces si të montuar politikisht, duke akuzuar edhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda për inskenim të një procesi politik ndaj klientit të tij. Gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare në mbrojtje të të pandehurit Endrit Dokle, avokati i tij mbrojtës tha se ky proces jo vetëm që është montuar për qëllime politike, por është përdorur nga politika. Për të argumentuar këtë deklaratë, avokati përmendi deklaratat e disa prej zyrtarëve, të cilët vazhdimit e kanë paraqitur “Bandën e Durrësit” si sukses të punës së policisë. Në konkluzionet përfundimtare, avokati i Endrit Dokles ka kontestuar edhe dëshminë e të penduarit Adriatik Coli, të cilën e ka quajtur një dëshmi të pavërtetë. Sipas tij, në gjithë dëshminë e Adriatik Colit nuk ka fakte që të provojnë fajësinë dhe akuzat e ngritura ndaj klientit të tij Endrit Dokle. Për të pandehurin Endrit Dokle organi i akuzës ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm, ndërsa avokati në konkluzionet përfundimtare ka pretenduat pafajësinë për klientin e tij.