Përplasje e fortë për “McGonigal” në Kuvend/ PD e Berishës kërkon mocion me debat, Rama “ofron” Spiropalin për interpelancë

Prej fillimit të punimeve të parlamentit këtë vit, çdo seancë është bllokuar nga opozita.
Këtë herë, Partia Demokratike bllokoi foltoren pasi për herë të dytë mazhoranca socialiste refuzoi kërkesën e saj për mocion me debat për lidhjet e kryeministrit Edi Rama me ish-zyrtarin e lartë të FBI.
LUCIANO BOCI
KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR, PD
“Frika e tij për t’u paraqitur tregojnë më shumë se fjalët e tua për ta mbrojtur. Ai duhet të vijë të paraqitet këtu. T’i nënshtrohet dhe interpelancës, por edhe mocionit me debat të kërkuar nga deputetët e PD. “
TAULANT BALLA
KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR, PD
“Arsyeja e kësaj pamje të kuvendit nuk ka të bëjë me hetimin ne SHBA, atje nuk ka asnjë zyrtar shqiptar në hetim. Fiks një javë më parë, djali i Sali Berishës, ishte para SPAK.”
Edhe deputetët që nuk e pranojnë Sali Berishën si kryetar të PD, u bashkuan me revoltën e opozitës, pasi kryeministri Edi Rama nuk mori pjesë në seancë, duke ia deleguar interpelancën ministres për marrëdhëniet e parlamentit, Elisa Spiropali.
Kryetarja e kuvendit Lindita Nikolla përjashtoi nga parlamenti deputetin demokrat Gazment Bardhi, por ky vendim e acaroi më shumë revoltën e deputetëve të opozitës.
Mazhoranca e mësuar tashmë me bllokimin e foltores tërhoqi fjalimet e deputetëve të saj për të mbyllur sa më shpejt seancën.
Dhe mes bilbilave dhe revoltës së deputetëve të opozitës, mazhoranca miratoi të gjitha ligjet e parashikuara në rendin e ditës.