E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasje mes protestuesve e Policisë, hidhen kapsolla dhe molotovë

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Protesta në Tiranë vijoi edhe mbrëmjen e sotme teksa protestuesit, të mbledhur fillimisht përpara Kryeministrisë, u zhvendosën më pas përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në drejtim të sheshit “Skënderbej”.

Gjatë marshimit ata hodhën kapsolla, fishekzjarre dhe molotovë, si pasojë e të cilave në rrugë u ndezën disa zjarre.

Forcat e policisë ndërhynë me gaz lotsjellës dhe ujë në përpjekje për të shpërndarë turmën, ndërsa protestuesit vijuan lëvizjen drejt zonës së Ministrisë së Brendshme dhe sheshit “Skënderbej”.

Tubimi vijoi i shoqëruar me tensione dhe ndërhyrjen e forcave të rendit.

Protestuesit hodhën breshëri fishekzjarresh, përfshirë molotovë, në drejtim të forcave të policisë.

Forcat e rendit i ndoqën protestuesit, të mbështetura nga autoboti me ujë, në përpjekje për të menaxhuar situatën.

Gjatë marshimit u shënuan incidente, ku protestuesit u vunë flakën edhe koshave të mbeturinave, duke shtuar tensionet në zonën ku po vijonte tubimi.

Protesta në Tiranë vijoi mes tensioneve dhe përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të policisë, ndërsa lëvizjet e tyre u zhvendosën në disa zona të kryeqytetit, përfshirë Rrugën e Dibrës dhe zonën e Medresesë.

Sipas raportimeve nga terreni, protestuesit sulmuan me gurë, fishekzjarre dhe molotovë në drejtim të efektivëve të policisë, të cilët iu kundërpërgjigjën me ujë dhe gaz lotsjellës.

Pranë Medresesë, në Rrugën e Dibrës, u regjistruan përplasje, ndërsa protestuesit u shpërndanë nëpër rrugicat e zonës. Gjatë marshimit, disa prej tyre u vunë flakën koshave të mbeturinave.

Tensione u raportuan edhe në kryqëzimin e 9-katësheve, ku grupe protestuesish lëvizën në drejtim të bulevardit duke hedhur kapsolla. Ndërkohë, pranë Ministrisë së Brendshme u shënuan incidente, ku protestuesit përdorën edhe lazerë në drejtim të efektivëve të policisë për t’i shpërqendruar.

Forcat speciale RENEA u pozicionuan pranë Kryeministrisë, ndërsa në zonën e Ministrisë së Brendshme u dislokuan autobotë me ujë dhe automjete policie.

Gjatë protestës, një i moshuar humbi ndjenjat në Rrugën e Barrikadave. Sipas raportimeve, disa persona i kanë shkuar në ndihmë, ndërsa shkaqet e gjendjes së tij nuk janë bërë ende të ditura.

Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë vijuan në rrugët e Tiranës, ndërsa efektivët u vënë në ndjekje të personave të dyshuar për sulmet me gurë, fishekzjarre dhe molotovë.

Në një episod, Policia u fut edhe në oborrin e Katedales Ortodokse në Tiranë, në ndjekje të protestuesve.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›