Ruseti: Ushtrimi i së drejtës për të protestuar nuk i përjashton 14-vjeçarët nga përgjegjësia individuale për dhunën

TIRANË, 19 tetor/ATSH/ Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti deklaroi sot se “pavarësisht akteve të veçuara të dhunës të regjistruara deri në këto orë të pasdites, përfshirë sulmin ndaj Gjykatës së Apelit në Tiranë, situata është nën kontroll dhe Policia e Shtetit është në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike”.
Në një deklaratë për mediet, Ruseti tha se “megjithatë, disa të rinj vijojnë të përfshihen në veprime të dhunshme. Për këtë arsye, sot u drejtohemi atyre dhe familjeve të tyre me një mesazh të qartë mbi pasojat ligjore të këtyre veprimeve”.
“Ushtrimi i së drejtës për të protestuar nuk i përjashton ata nga përgjegjësia individuale për dhunën ndaj qytetarëve dhe punonjësve të policisë, dëmtimin dhe shkatërrimin e pronës publike apo private, zjarrvënien, vjedhjen apo mbajtjen e paligjshme të armëve dhe mjeteve shpërthyese”, tha ajo.
Zv.ministrja Ruseti u shpreh se “të rinjtë dhe prindërit duhet të jenë të informuar se mosha e mitur nuk i përjashton automatikisht nga përgjegjësia penale. Sipas Kodit Penal, përgjegjësia penale për krimet fillon në moshën 14 vjeç, ndërsa për kundërvajtjet penale në moshën 16 vjeç. Përgjegjësia do të vlerësohet individualisht, mbi bazën e veprimeve dhe provave për secilin person, duke respektuar në çdo rast prezumimin e pafajësisë”.
Sipas saj, askush nuk duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e të tjerëve vetëm për faktin se ndodhej në të njëjtën protestë.
“Interesi më i lartë i fëmijës, e drejta për mbrojtje dhe trajtimi me dinjitet do të udhëheqin çdo veprim institucional të Policisë së Shtetit dhe të institucioneve të shtetit shqiptar. Qëllimi ynë është një dhe i vetëm, të parandalojmë dëmtimin e të miturve dhe përfshirjen e mëtejshme të tyre në veprimtari të kundërligjshme”, theksoi zv.ministrja.
Ruseti u bëri thirrje të rinjve që ndodhen pranë zonave të përplasjeve të largohen nga dhuna.
“Mos lejoni që nxitja e dikujt tjetër, presioni i grupit apo thirrje në rrjetet sociale t’ju çojë drejt veprimeve që mund të rrezikojnë jetën tuaj dhe të të tjerëve! Ushtrojeni të drejtën tuaj për protestë në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi”, shtoi ajo.
Zv.ministrja Ruseti u bëri apel prindërve dhe kujdestarëve të vijojnë të bashkëpunojnë me institucionet e shtetit shqiptar.
“Flisni me fëmijët tuaj edhe për pasojat ligjore, krahas atyre fizike dhe psikologjike që sjell dhuna. Ju falënderojmë për bashkëpunimin dhe përgjegjshmërinë e treguar dhe kërkojmë mirëkuptimin tuaj për vijimin e këtij bashkëpunimi, për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, tha ajo.
Gjithashtu Ruseti falënderoi të gjithë prindërit dhe kujdestarët, të cilët iu përgjigjën thirrjes për bashkëpunim dhe sot shoqëruan fëmijët e tyre për frekuentimin e rregullt të orëve të mësimit, duke bërë të mund sipas saj, mospërfshirjen e tyre në një protestë ku ekziston rreziku i përplasjeve të dhunshme.
/k.s/r.e/a.f