E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përplasje në Konferencën e Kryetarëve, Bardhi akuza Spiropalit dhe Ballës: Dhunuat zgjedhjet

Konferenca e Kryetarëve u zhvillua mes përplasjeve të forta mes kreut të grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi, dhe kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, si dhe ministrit për marrëdhëniet me parlamentin, Taulant Balla.

Bardhi akuzoi socialistët për mosrespektim të rregullores së Kuvendit, si dhe i cilësoi drejtuesit e mazhorancës si përgjegjës për manipulimin e zgjedhjeve të 11 majit.

Gazmend Bardhi: E keni kthyer kuvendin si pronë private. Vini këtu sikur jeni kthyer nga Suedia, ku në fakt jeni kthyer nga një llum që e keni krijuar ju me duart tuaja. Keni caktuar një seancë turpi për të bërë vetëm ti foto aty. Nuk keni caktuar dhe nuk keni lënë as çështje jashtë rendit të ditës. Këtë e garanton rregullorja e Kuvendit. Unë e kuptoj që ju nuk doni debat sepse doni ta trajtoni sikur jeni kthyer nga pushimet, ku në fakt ju jeni kthyer nga drejtimi i një grupi të strukturuar kriminal, ku vodhët dhe dhunuat zgjedhjet duke e krahasuar Shqipërinë me Sirinë. Nuk mund ta trajtoni kuvendin si pronë private e as vendin si normalitet. Siç e thotë OSBE ju keni shkallmuar barazinë në zgjedhje dhe keni rrëzuar nenin 1 të Kushtetutës. E përsëris ju doni që Shqipëria të krahasohet me Rusinë apo me Serbinë. Kush e cakton se çfarë bëhet në Konferencën e kryetarëve dhe në Kuvend. Partnerët tuaj Suel Çela apo Troplinit e Durrësit. Zonjë duhet të sqarosh ato çfarë unë ngre këtu. Nuk lejoj të flasë ushtari i Suel Çelës. Dhe ti zonjë mos mu sill sikur ke ardhur nga Suedia, por ke ardhur nga strofulla e Xhabaftëve. U kërcënuan fëmijët e kolegët e tu dhe ti kryetare e kuvendit shkove more në mbrojtje Xhabaftët.

Elisa Spiropali: Ma jep të drejtën rregullorja të përcaktoj rendin e ditës.

Gazmend Bardhi: Nuk do të jesh më këtu, do të zëvendësohesh nga Zegjine Balluku.

Përplasjet përfunduan me dështimin e miratimit të rendit të ditës për mungesë kuorumi. Çështja do të kalojë për votim në seancën plenare, ndërsa Gazmend Bardhi ka bërë një kërkesë urgjente Kuvendit për shtimin e një pikë në rend të ditës, atë “Diskutim jashtë rendit të ditës 60 minuta”.

Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve do të pasohet nga seanca e Kuvendit që mblidhet këtë të enjte (29 maj) për herë të pas zgjedhjeve të 11 majit. Me rikthimin e deputetëve në Kuvend pritet që seanca të shoqërohet me debate lidhur me zgjedhjet, ku PD nuk ka pranuar të njoh rezultatin duke i cilësuar si “farsë elektorale”, ndërsa socialistët arritën të merrnin 83 mandate.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›