Shpërthimi me tritol në burgun e Fushë-Krujës, Drejtoria e Burgjeve: Nuk cenon sigurinë e të dënuarve

Drejtoria e Burgjeve ka reaguar mbi shpërthimin me tritol të mbrëmjes së djeshme në burgun e Fushë-Krujës.
Me anë të një njoftimi, Drejtoria e Burgjeve sqaron se lënda plasëse është hedhur në zonën e rrethimit të jashtëm, pranë rrugës kryesore.
Sipas Drejtorisë së Burgjeve, kjo zonë ku është hedhur lënda plasëse, nuk cenon sigurinë e të dënuarve apo të paraburgosurve, ndërsa shton se janë administruar pamjet filmike të sigurisë për të bërë zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vendosjen para drejtësisë të autorit/ëve.
“Rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme, në ambientet e IEVP Fushë-Krujë është dëgjuar një shpërthim brenda rrethimit. Menjëherë pas ngjarjes, janë njoftuar strukturat përkatëse: Policinë e Shtetit, Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve dhe Prokurorinë.
Nga verifikimet paraprake në vendin e ngjarjes, është konstatuar një gropë në tokë pranë zonës ku ndodhet gjeneratori, duke ngritur dyshime se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga një sasi e dyshuar lënde plasëse. Nga shpërthimi nuk ka asnjë person të lënduar dhe nuk ka dëme materiale.
Grupet hetimore ndodhen në ende në terren dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin e autorëve të mundshëm.
Nga të dhënat e deritanishme, rezulton se lënda plasëse është hedhur në zonën e rrethimit të jashtëm, pranë rrugës kryesore. Kjo zonë nuk ndikon dhe nuk cenon sigurinë apo jetën brenda perimetrit të brendshëm të të dënuarve dhe të paraburgosurve”, thuhet në njoftim.