Përplasjet mes Kongresit dhe Shtëpisë së Bardhë për buxhetin

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve ka deklaruar se është gati për arritjen e një marrëveshjeje me Presidentin Obama “që sot”, me kusht që nuk do të ketë rritje taksash, gjë që lë si alternativë të vetme uljen e shpenzimeve qeveritare për të reduktuar deficitin masiv federal prej 1.5 trilion dollarësh. Në Uashington negociatat për buxhetin vazhdojnë ndërkohë që vendi është pranë nivelit maksimal të lejueshëm të borxhit, që është vendosur nga Kongresi. Me arritjen e kësaj shume kanoset edhe rreziku që Amerika të mos paguajë këstet e borxhit kombëtar prej 14 trilionë dollarësh.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Xhon Bejnër ka deklaruar se dëshiron arritjen e një marrëveshjeje për buxhetin me demokratët dhe Shtëpinë e Bardhë.
Por në komentet për rrjetin CBS, Bejnër këmbënguli në parimin themelor të republikanëve: rruga drejt një të ardhmeje të shëndoshë fiskale është në uljen e shpenzimeve dhe jo në rritje taksash.
Pra ballafaqimi partiak për buxhetin vazhdon. Demokratët pohojnë se është e nevojshme të kufizohen shpenzimet, por shtojnë se kombinimi i uljes së shpenzimeve dhe rritjes së taksave mbi amerikanët më të pasur do të rezultonte në një ulje më të madhe të deficitit pa dëmtuar programet qeveritare që ofrojnë ndihmë për të varfrit dhe personat në nevojë.
Programet qeveritare në fjalë ofrojnë kujdes shëndetësor dhe të ardhura për pensionistët dhe shihen nga shumë vetë si shkaktari kryesor për deficitin fiskal të Amerikës.
Republikanët kanë propozuar që qeveria t`i japet fund rolit të saj të drejtpërdrejtë në disa nga këto programe, duke ia kaluar përgjegjësinë shteteve individuale. Demokratët e pranojnë në parim nevojën për reformimin e këtyre programeve, por ende nuk kanë paraqitur një plan konkret për ta realizuar këtë.
Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara do të arrijnë së shpejti kufirin maksimal të marrjes borxh. Nëse Kongresi nuk bie dakord për të rritur nivelin tavan të borxhit, Amerika mund të mos jetë në gjendje të paguajë këstet e borxhit, që në masë të madhe është marrë nga qeveri të huaja.
Presidenti kërkon rritjen e nivelit tavan të borxhit pavarësisht si shkojnë bisedimet për buxhetin. Republikanët këmbëngulin që më parë të ketë reduktime masive të shpenzimeve si kusht për rritjen e nivelit të borxhit.
Kongresi gjithmonë ka miratuar rritjen e nivelit tavan të borxhit sa herë që kjo ka qenë e nevojshme më parë, zakonisht pas disa javë retorikash partiake dhe shkëmbimesh të ndërsjellta akuzash.